LAJMI I FUNDIT:

Nuk ka frymë për koalicion me NISMA-AKR-PD në Lëvizjen Vetëvendosje

Nuk ka frymë për koalicion me NISMA-AKR-PD në Lëvizjen Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy partitë që dolën më të votuarat në zgjedhje, tani më kanë përfunduar një cikël takimesh për të harmonizuar programet e tyre qeverisëse, në mënyrë që më pas ta formojnë qeverinë e re. Mirëpo, këto takime u ndalën në gjysmë pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), mori dy vendime. PZAP pranoi ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD, që të përjashtohen nga rezultati i zgjedhjeve votat e ardhura nga Serbia si dhe vendimin tjetër, ku Paneli urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të rinumërojë 1,407 vendvotime.

Si pasojë e vendimit të PZAP-it për përjashtimin e votave të Serbisë nga rezultati zgjedhor, koalicioni NISMA-AKR-PD deklaruan se në bazë të rezultateve të tanishme kanë kaluar pragun, duke i marr 6 mandate.


Kështu LVV do të mbes pa tre deputetë ndërsa LDK pa një deputet. Por, se a do të formojnë një koalicion LVV dhe LDK me NISMA-AKR-PD-në, për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve, një gjë e tillë duket të jetë e pamundur.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se tani janë të fokusuar të ndërtojnë koalicionin me LDK-në.

“Zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë mesazh i qartë: populli ka votuar për ndryshim dhe ata që deri dje ishin në qeverisje të kalojnë në opozitë. Tash për tash jemi të fokusuar që të ndërtojmë koalicionin qeverisës me LDK-në. Ekziston mundësia për bashkëpunim edhe me pakicat joserbe”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka frymë për koalicion me NISMA-AKR-PD.

“Mirëpo, fryma në Lëvizjen tonë është që të mos kemi koalicion me koalicionin NISMA-AKR-PD. Por përtej kësaj, ende s’janë certifikuar rezultatet dhe për ne rezultatet zyrtare janë ende ato që i ka shpallur KQZ”, ka thënë ai.

Ndërsa Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se i takon mandatarit të vendos për koalicion.

“I takon mandatarit pra Lëvizjes Vetëvendosje të caktojë se me cilat parti do të hyjë në koalicion. Pavarësisht se me kë do të dojë LVV të bëjë koalicion, kjo nuk e ndryshon vullnetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen”, ka thënë ai për Telegrafin.

Mustafa ndër të tjera ka folur edhe për takimet mes LDK-së dhe LVV-së.

“Takime të nivelit politik Mustafa-Kurti do të ketë vetëm pas certifikimit të rezultateve. Më herët jo”, është shprehur ai.

Edhe Kurti ditë më parë pati thënë se takimet për harmonizim të programit qeverisës janë kryer 80 përqind, mirëpo sipas tij ka ngelur edhe pjesa tjetër që është ndarja e përgjegjësive, funksioneve, pozitave, pra ministrive.

Kurti theksoi se bashkë me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, do të takohen dhe do të merren vesh./Telegrafi/