LAJMI I FUNDIT:

“Nuk është koha për një veprim të tillë” – reagime të shumta rreth vendimit për hapjen e Urës së Ibrit

“Nuk është koha për një veprim të tillë” – reagime të shumta rreth vendimit për hapjen e Urës së Ibrit

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, të premten kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër.

E një vendim të tillë e ka përkrahur edhe Qeveria e Kosovës. Në një përgjigje për RTK-në, nga Qeveria kanë theksuar se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në Republikën e Kosovës në çdo vendbanim.


“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Për rihapjen e Urës së Ibrit, ka reaguar dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak. Lajçak ka thënë se nuk është koha për një veprim të tillë.

Pas hapjes së urës mbi Ibër, Komuna e Mitrovicës pritet të vendosë edhe për xhaminë
Lexo po ashtu Pas hapjes së urës mbi Ibër, Komuna e Mitrovicës pritet të vendosë edhe për xhaminë

“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun). Ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçaku, duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, përmes një përgjigje për Dukagjinin, kërkon që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut.

“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR.

Reagime pati edhe nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dënoi vendimin e asamblistëve të Mitrovicës së Veriut dhe e konsideroi atë si “si të paligjshëm”.

Nga kjo parti theksuan se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”.

Lista Serbe kërkoi nga KFOR-i (misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë), EULEX-i (misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë) dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që “me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi”.

Asamblistët në veri të Mitrovicës vendosin për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Lista Serbe paralajmëron incidente
Lexo po ashtu Asamblistët në veri të Mitrovicës vendosin për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Lista Serbe paralajmëron incidente

Duke reaguar pas vendimit për kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.

Vuçiq nuk dha asnjë provë për këto pretendime.

Presidenti serb tha se ura mbi lumin Ibër – që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut – paraqet “një digë dhe mbrojtëse të interesave të popullit tonë në veri të Kosovës”.

Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe. Sot, ato janë dy komuna të veçanta.

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët. /Telegrafi/