Norwich City ia ka shkaktuar humbjen e parë sezonale Manchester Cityt duke e mposhtur me rezultat 3-2 në Carrow Road.

Kenny McLean e zhbllokoi rezultatin në minutën e 18-të pas asistimit nga Emiliano Buendia. Pas dhjetë minutash, epërsia u dyfishua me golin e Todd Cantwell (28′) që u asistua nga Teemu Pukki.

Në fund të pjesës së parë (45′), Sergio Aguero e ngushtoi rezultatin i ndihmuar nga Bernardo Silva duke i dhënë shpresë ekipit të tij.

(Foto: Marc Atkins/Getty Images/Guliver)

Pukki e shënoi golin e tretë për vendasit në pjesën e dytë (50′), pas asistimit të dytë nga Buendia dhe e ngriti sërish epërsinë e nikoqirëve.

Në minutat e fundit (88′), sfida u bë dramatike, pasi Rodri shënoi golin e dytë për mysafirët i asistuar nga Gabriel Jesus, megjithatë ‘Citizens’ nuk ia dolën ta barazonin rezultatin në minutat e mbetura.

(Foto: Paul Harding/Getty Images/Guliver)

Kjo humbje e lë Manchester Cityn në vend të dytë në tabelë me pesë pikë prapa Liverpoolit që ka regjistruar pesë fitore radhazi.

Për Norwich Cityn kjo ishte fitorja e dytë këtë sezon, ndërsa i ka humbur tri ndeshje të tjera. /Telegrafi/