Norvegjia sekuestron anijen ruse në Arktik për borxhin 4.2 miliardë dollarësh ndaj Ukrainës

Një anije shtetërore ruse është sekuestruar në Arktik, në një operacion që lidhet me kërkesën e Ukrainës për mbi 4.2 miliardë dollarë kompensim nga Rusia për asetet e konfiskuara në Krime.
Autoritetet norvegjeze kanë ndaluar të mërkurën anijen ruse “Professor Molchanov” në portin e Barentsburgut, në arkipelagun e Svalbardit.
Sekuestrimi u krye pas një kërkese nga kompania shtetërore ukrainase e energjisë Naftogaz, e cila po ndjek në gjykata ndërkombëtare kompensimin për asetet energjetike që Rusia i konfiskoi pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014.
Vendimi u urdhërua nga Gjykata e Qarkut Nord-Troms dhe Senja të hënën, ndërsa autoritetet e Svalbardit ndaluan anijen dhe e urdhëruan të mos largohet nga vendndodhja aktuale.
Në vitin 2023, një tribunal arbitrazhi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë vendosi se Rusia duhet të kompensojë Naftogaz-in dhe gjashtë kompani të tjera për konfiskimin e paligjshëm të aseteve në krime, përfshirë fusha gazi, tubacione dhe kompaninë e prodhimit të gazit Chornomornaftogaz.
Shuma kryesore e papaguar arrin në rreth 4.22 miliardë dollarë, ndërsa me interesat dhe kostot ligjore mund të shkojë në rreth 5 miliardë dollarë.
Moska ka refuzuar të paguajë dhe, për këtë arsye, Naftogaz ka nisur ndjekjen e aseteve ruse në vende të ndryshme ku ato mund të sekuestrohen ligjërisht. Vendimi i arbitrazhit ishte njohur më herët si i zbatueshëm edhe në Norvegji.
“Rusia nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë thjesht duke refuzuar të zbatojë një vendim ndërkombëtar arbitrazhi”, deklaroi drejtori i përkohshëm i Naftogaz-it, Sergii Fedorenko, duke e cilësuar sekuestrimin si një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë.
Ai paralajmëroi se kompania do të vazhdojë të ndjekë asetet ruse në mbarë botën derisa kompensimi të paguhet.
Rasti nuk është i izoluar. Procedurat për sekuestrimin e pasurive ruse në kuadër të kësaj çështjeje janë aktive në rreth 10 juridiksione, ndërsa asete ruse janë sekuestruar më herët edhe në Finlandë dhe Francë.
Operacioni ka një dimension të veçantë për shkak të vendndodhjes. Barentsburgu është një vendbanim rus i minierave të qymyrit, por ndodhet në territorin norvegjez të Svalbardit.
Statusi i veçantë i arkipelagut buron nga Traktati i Svalbardit i vitit 1920, i cili njeh sovranitetin norvegjez, por u jep shteteve nënshkruese, përfshirë Rusinë, të drejtën për aktivitete tregtare.
Anija “Professor Molchanov”, në pronësi të Federatës Ruse, përdoret për udhëtime ekspeditash turistike dhe kryen edhe lundrime drejt Svalbardit.
Sekuestrimi i saj tregon se lufta juridike për asetet ruse dhe kompensimin e Ukrainës po shtrihet gjithnjë e më larg fushëbetejës, deri në zemër të Arktikut. /Telegrafi/






































