LAJMI I FUNDIT:

Norma e vendeve të lira të punës në BE ishte 2.3%

Norma e vendeve të lira të punës në BE ishte 2.3%

Norma e vendeve të lira të punës në Eurozonë ishte 2.3 për qind në tremujorin e katërt të 2018-së, nga 2.1 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2018 dhe nga 2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2017, po ashtu në vendet e Bashkimit Evropian kjo shkallë ishte e njëjtë.

Sipas shifrave të publikuara nga Eurostat, përcjell Telegrafi, në zonën e euros, shkalla e vendeve të lira të punës në tremujorin e katërt të vitit 2018 ishte 2 për qind në industri dhe ndërtimtari dhe 2.6 për qind në shërbime. Në BE kjo normë ishte 2.1 për qind në industri dhe ndërtim dhe 2.6 për qind në shërbime.


Ndër vendet anëtare për të cilat disponohen të dhëna të krahasueshme, normat më të larta të vendeve të lira të punës në tremujorin e katërt të vitit 2018 u regjistruan në Çeki me 6 për qind, Belgjikë dhe Gjermani me 3.4 për qind dhe Austri me 3.1 për qind. Në të kundërtën, normat më të ulëta janë vërejtur në Greqi me 0.4 për qind, Bullgari, Irlandë, Spanjë dhe Portugali me 0.9 për qind.

Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, shkalla e vendeve të lira të punës në tremujorin e katërt të vitit 2018 u rrit në njëzet shtetet anëtare të BE-së, mbeti e qëndrueshme në Belgjikë, Qipro, Finlandë dhe Suedi, por ra në Estoni, Irlandë, Kroaci me 0.1 pikë përqindje dhe Lituani me 0.2 pikë përqindje. /Telegrafi/