LAJMI I FUNDIT:

Nobelisti që justifikon krimin: Të jesh apo të mos jesh… shkrimtar?!

Nobelisti që justifikon krimin: Të jesh apo të mos jesh… shkrimtar?!

Nga: Luan Rama

Po e risjell një shënim të botuar më parë në librin tim “Në udhëkryqet e kohës” (vëll. I) lidhur me rolin e shkrimtarit në shoqërinë bashkëkohore, çka ajo që kam shkruar bie ndesh me përzgjedhjen e Peter HandkeS si nobelist i vitit 2019. Padyshim, zgjedhja e një letrari si nobelist në çdo cep të botës na gëzon dhe shqiptarët prej kohësh e kanë dëshiruar përzgjedhjen e Kadaresë, si autor i një letërsie të madhe. Prej shumë vitesh, kur në debate miqsh mbroja veprën e Kadaresë, disa kritizerë më flisnin jo mirë për të dhe përse unë e mbroja. Sigurisht, atyre nuk u pëlqente Kadareja dhe unë u thoja se dhe Bethoveni ishte njeri i tepër i prapë, por askush nuk e ka gjykuar atë për huqet e tij por për veprën e tij. Ata harronin se Kadareja ishte monumenti më i madh letrar shqiptar i derisotëm dhe se ky monument i kishte bërë dhe i bën nder Shqipërisë. Por, lajmi i përzgjedhjes së Peter Handkes më risolli në kujtesë fushatën e tij të dikurshme në mbrojtje të Millosheviqit dhe kjo padyshim më revoltoi në vetvete. Vallë ishte e njëjta filozofi humaniste që e çoi komisionin e Nobelit për të veçuar Peter Handke për t’i dhënë çmimin Nobel? Si ishte e mundur vallë? Ç’kishte ndodhur, përse? Ja çfarë kam shkruar në atë artikull me titullin: “Të jesh apo të mos jesh… shkrimtar?!”:


***

“Të jesh apo të mos jesh… shkrimtar?!” Le ta huazojmë këtë varg të Shekspirit për një dilemë që herë pas here shfaqet mbi rolin e shkrimtarit dhe të artistit. Duhet të jetë ai i angazhuar? Por, për çfarë kauze?

Bota në historinë e vet ka njohur shkrimtarë dhe artistë të angazhuar dhe të pa angazhuar, artistë në frontin e parë të sfidave njerëzore, apo të tjerë të tërhequr diku, vëzhgues të ngjarjeve dhe të rrjedhës njerëzore, mbyllur në dekorin e tyre të librave apo artit dhe krijimit. Orwell, Hemingway, Camus, Sartre e të tjerë ishin shkrimtarë të angazhuar. Por, ka patur dhe ka edhe nga ata që shkojnë kundër kësaj rrjedhe dhe aspiratave njerëzore e megjithatë janë shkrimtarë dhe artistë, vlera të cilat nuk mund t’u mohohen; shkrimtarë që i janë kundërvënë utopisë dhe humanizmit, duke justifikuar dhe krimet më të mëdha e ç’njerëzore. Mbretër mizorë, perandorë paranojakë, diktatorë të tmerrshëm kanë patur shkrimtarë dhe artistë kundërshtarë, të cilët kanë përfunduar në burgje e kampe përqendrimi, dhe të tjerë që ishin mbrojtës së tyre, shkrojtës të bëmave dhe historive të tyre të “lavdishme”, ata që thurrnin vetëm lavde dhe ode. Në këtë kuptim, bota duket se është po ajo që ka qenë edhe pse ajo ka hyrë në rrugën e modernitetit. Duket se thelbi i natyrës njerëzore ende nuk ka ndryshuar. Atëherë të jesh apo të mos jesh… shkrimtar, artist?!

***

Ndalimi i dramës “Udhëtim në vendin e tingujve” ose “Arti i çështjes” të shkrimtarit austriak Peter Handke nga administratori i “Komedisë Franceze”, teatrit historik dhe më të madh të Francës, Marcel Bozonnet, ka ngjallur njË debat të madh sot në rrethet intelektuale evropiane dhe në opinionin publik. Arsyeja e heqjes së kësaj drame nga repertori i vitit 2006-2007 ishte i thjeshtë: “Komedia Franceze” nuk mund të vinte në skenë veprën e një shkrimtari që merr pjesë në varrimin e Millosheviqit në Pozharevc në prani të gjithë fanatikëve nacionalistë të cilët e përcollën atë si një hero; “Komedia Franceze” nuk mund të lejonte që publiku i thjeshtë të duartrokiste në skenë një autor i cili për vite me radhë ka dënuar evropianët pse ata i u kundërvunë veprës së Millosheviqit, pasi siç u shpreh dhe administratori i “Komedisë Franceze” para një konference shtypi, “kjo shfaqje do të ishte një fyerje që do t’ju bëhej viktimave të Millosheviqit”, pra viktimave të Srebrenicës, Mostarit, Bihaçit, Reçakut e mijëra e mijëra viktimave të pafajshme.

Si mund të pranohej një autor i cili deklaronte në revistën franceze “Nouvel Observateur” se “jam i lumtur që të jem sot pranë Millosheviqit që ka mbrojtur popullin serb”. Nëse disa intelektualë u ngritën kundër asaj që quhet censurë, apo kundër vendimit të administratorit të “Komedisë Franceze”, ata ndërkohë nuk i mbështesin pikëpamjet politike të dramaturgut të njohur Peter Handke, këtij shkrimtari të spikatur në botën e letrave, por të mbrapshtë në atë të politikës.

Që në fillimin e luftës në Jugosllavi, Handke u bashkua çuditërisht me kauzën nacionaliste serbomadhe duke akuzuar amerikanët e evropianët se “donin të shfarosnin popullin serb”; se NATO kërkon të bëjë në Serbi një “Aushvic të dytë” dhe të “masakrojë popullin serb”, duke e cilësuar njëkohësisht kriminelin Millosheviq si një “patriot të mirë” dhe “mbrojtës të popullit serb”. “Jo, Millosheviqi nuk ka qënë fajtor për atë çka ndodhi në Jugosllavi “ – ngulmon ai, ndërkohë që autori i “Rekuiem për Srebrenicën”, Olivier Py, regjisor dhe drejtor i teatrit të Orleanit, i kujton atij gjenocidin në Bosnje. Handke i ka shfaqur haptas pikëpamjet e tij politike, siç ka bërë me botimin e tij “Udhëtim dimëror nëpër Danub, Savë, Moravë dhe Drin” dhe nëntitull “Drejtësi për Serbinë”, i cili në atë kohë lufte shkaktoi përsëri debate të mëdha dhe reagime nga bota intelektuale.

Shkrimtari gjerman Peter Schneider e cilësoi këtë botim si “një budallalëk historik”, ndërkohë që Reinhard Mohr në revistën e njohur Der Speigel nuk hezitoi ta krahasonte qëndrimin e tij me atë të disa intelektualëve të viteve ‘30-të të shekullit të kaluar të cilët kur vinin nga Bashkimi Sovjetik i këndonin “parajsës komuniste”. Nga ana tjetër, intelektuali Lionel Richard e cilësonte atë si një “mbrojtës të totalitarizmit serb”.

Në polemikën e hapur në Francë dhe në Austri e Gjermani, gazetarë të ndryshëm nuk mungojnë t’i kujtojnë Handkes qëndrimin e tij ndaj gazetarëve gjatë luftës në ish-Jugosllavi e Kosovë, duke iu referuar dhe frazave të tij cinike kundër gazetarëve në terren, këtyre “qenërve të luftës që e kanë ngatërruar profesionin e të shkruarit me atë të gjykatësit dhe të demagogut”; ata i kujtojnë atij fyerjen që i bëri publikisht gazetarit francez, korrespondentit të gazetës franceze “Liberation”, Jean Hatzfeld, të plagosur rëndë nga një bombë, të cilin ai e cilësonte duke u tallur një “gazetar sportiv që shkruan shkrime interesante për ‘Tour de France’”.

Më vonë, më 1999, pikërisht gjatë luftës së Kosovës, Handke shkruante në gazetën e madhe gjermane “Suddeutche Zeitung” duke protestuar kundër diabolizimit të figurës së Millosheviqit, këtij “patrioti të madh”, dhe harronte të shkruante as dhe një fjalë për ata qindra e mijëra njerëz që shpërnguleshin dhe i iknin terrorit të forcave serbe, imazhe që çdo mbrëmje shfaqeshin në ekranet e televizioneve të të gjithë botës. Edhe më 27 mars të këtij viti, në revistën gjermane “Focus” ai justifikonte praninë e tij në ceremoninë mortore të Millosheviqit, duke shkruar se “nuk ishte e vërtetë se Millosheviqi ishte një diktator”. “Ai nuk mund të cilësohet xhelat i Beogradit… dhe nuk është ai që ka nxitur katër luftërat e Jugosllavisë “… Handke këmbëngul edhe pse e gjithë bota ka qënë dëshmitare e veprës kriminale të Millosheviqit, dëshmitare se ishte ai që e shpërbëu Jugosllavinë për të krijuar Serbinë e Madhe; ishte ai që organizoi masakrat, gjenocidet, shpërnguljet e mëdha. Gjithçka u bë në sytë e tij dhe me urdhër të tij.

Me të drejtë drejtori i teatrit të Brestit në Francë, Jaques Blanc, duke ju kundërvenë atyre që janë kundër cenzurimit të veprës së një shkrimtari, propozon që për një sezon, teatrot e Evropës t’i bojkotojnë veprat e Handkes i cili justifikon krimin. “Kjo nuk është thirrje për cenzurë” – shkruan ai në gazetën franceze “Liberation” – “por një sinjal i fortë që Evropa duhet tu japë nacionalistëve”. Sipas tij, emri i Handkes është një turp për teatrin e sotëm evropian; dramaturgu francez pyet se si ka mundësi që ai “nuk di gjë nga spastrimi etnik; se ishte Millosheviqi që kërkoi ta bënte Serbinë e Madhe duke dashur ti heqë elementët e papastërt, pra mysimanët, boshnjakët, shqiptarët e Kosovës… Si është e mundur që ai nuk i njeh kampet e përqendrimit, terrorin ndaj popujve të Ballkanit, shpërnguljet masive, rrethimin e Sarajevës së uritur…”

***

Si mund të jesh shkrimtar dhe artist? Nëse nuk angazhohesh për kauzat e mëdha, (dhe sfidat e shoqërisë njerëzore nuk janë të pakta), të paktën qëndro në lozhë dhe vëzhgo, por mos shko kundër saj, kundër aspiratës njerëzore, kundër humanizmit dhe universalitetit njerëzor, mos tento të mbrosh diktatorët dhe të justifikosh krimin!

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
XHUBLETA

XHUBLETA

Poezi
FRIKË

FRIKË

Poezi
Didaktikë historie

Didaktikë historie

Kulture
Vepra poetike Kadare!

Vepra poetike Kadare!

Analiza
Shqipja e kërcënuar!

Shqipja e kërcënuar!

Analiza
Kalo në kategori