Zohran Mamdani, një socialist demokrat 33-vjeçar, ka shpallur fitoren në garën për zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike për kryebashkiak të Nju Jorkut.

Ai kryeson me 43.5% të votave, ndërsa ish-guvernatori Andrew Cuomo ndodhet pas tij me 36.4%.


Megjithëse numërimi përfundimtar pritet të zgjasë disa ditë, Mamdani u deklarua fitues para mbështetësve të tij, duke thënë: “Sonte bëmë histori”.

Kështu, për herë të parë, një mysliman është në prag të kandidimit për drejtimin e qytetit më të madh të Amerikës.

Dhe nëse ai fiton zgjedhjet e përgjithshme, Mamdani do të bëhej myslimani i parë dhe indiano-amerikani i parë që drejton një qytet të madh amerikan.

Cuomo e pranoi disfatën dhe e përgëzoi Mamdanin për një “fushatë të zgjuar dhe frymëzuese”.

Mamdani kishte marrë më parë mbështetjen e Brad Lander, një tjetër progresist që doli i treti me 11.4%, gjë që pritet t’i japë një avantazh në fazat e mëtejshme të numërimit.

Nëse Mamdani konfirmohet si fitues, ai do të jetë favorit për të fituar në zgjedhjet e nëntorit, për shkak të përbërjes kryesisht demokrate të qytetit. /Telegrafi/