LAJMI I FUNDIT:

Njoftimi i Trustit rreth pagesave të 10 përqindëshit, 20 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja dhe operimi i pavarur energjetik i Kosovës – ngjarjet e javës që lamë pas

Njoftimi i Trustit rreth pagesave të 10 përqindëshit, 20 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja dhe operimi i pavarur energjetik i Kosovës – ngjarjet e javës që lamë pas

Javën që lamë pas ka nisur operimi i pavarur energjetik i Kosovës, si zonë rregulluese brenda bllokut rregullues Shqipëri – Kosovë, ndërsa për të gjithë ata që kanë aplikuar për tërheqjen e 10 përqindëshit prej datës 11 deri më 17 dhjetor Fondi i Kursimeve Pensionale ka njoftuar se qytetarët pagesën do të marrin më 23 dhjetor.

Gjatë javës së kaluar po ashtu është folur rreth mundësisë së shkuarjes në zgjedhje, ku kryeministri Avdullah Hoti ka përsëritur se nëse nuk ka pajtim për presidentin vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Javën që lamë po ashtu janë mbajtur seanca gjyqësore në Gjykatën Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës, Nasim Haradianajt dhe Hysni Gucatit.


Ndërkaq, seancat e Kuvendit të Kosovës të planifikuara për të premten kanë dështuar në mungesë kuorumi dhe pengimit nga Vetëvendosjes, të cilët kanë thënë se do t’i pengojnë edhe seancat tjera në qoftë se në sallë është i pranishëm zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Po ashtu, javën e kaluar kryeministri Hoti i ka kërkuar Kreshnik Gashit, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Hoti: Nëse nuk arrihet pajtim për presidentin, vendi duhet të shkojë në zgjedhje

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti më 14 dhjetor sërish ka folur për çështjen e presidentit, ndërsa tha se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

Hoti kështu theksoi në një takim virtual me raportuesin me raportuesin për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer.

“Kryeministri Hoti ngriti edhe çështjen e Presidentit, ku theksoi gatishmërinë e subjekteve politike për të arritur një zgjidhje, ndërkohë që nënvizoi se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkoj në zgjedhje”, thuhej në njoftimin e Kryeministrisë.

Selimi: 20 milionë euro do të shfrytëzohen për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Po të hënën, më 14 dhjetor ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është deklaruar për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Selimi thotë se buxheti për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja është paraparë me buxhetin e ministrisë.

Ai tha se janë 20 milionë euro që do të shfrytëzohen për mbrojtjen e të akuzuarve. Prej tyre 7 milionë janë ndarë me amendamentin në Kuvendin e Kosovës gjatë rishikimit buxhetor, ndërsa 13 milionë thotë se janë në buxhetin rezervë.

Nis operimi i pavarur energjetik i Kosovës

Të hënën, më 14 dhjetor është njoftuar se ka nisur operimi i pavarur i Kosovës, si zonë rregulluese brenda bllokut rregullues Shqipëri – Kosovë, ndërsa kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë se pavarësimi energjetik është sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë.

Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, hapi një kapitull të ri brenda bllokut Shqipëri-Kosovë.

“Pavarësimi energjetik sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë KOSTT i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, hapi një kapitull të ri brenda bllokut Shqipëri-Kosovë”, kishte thënë kryeministri.

Mustafa: Haxhi Avdyli zëdhënës i Vjosa Osmanit, Haki Abazi na luti ta merrnim në LDK

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka komentuar deklaratën e Vjosa Osmanit, e cila tha se kësaj partie i ka mbetur vetëm logoja.

“Askush nuk është bërë deputet pa u votuar së pari logoja e LDK-së e pastaj kandidati. Në qoftë se nuk e voton logon s’ka as vota për kandidat. Ne kemi deputetin Haxhi Avdyli që në raste të ndryshme del si zëdhënës i zonjës Osmanit. Vjosa s’ka nevojë për të, sepse larg është e përgatitur më mirë se Haxhia. Edhe Haki Abazi del e thotë e flet si zëdhënës i LDK-së, edhe pse ai na ka lutur të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Ferizajt, por nuk e kemi pranuar. Ne nuk bëjmë kështu, nga rruga e drejt e kandidat”, ka thënë Mustafa në RTK.

Deputeti i LDK-së thotë se do të votojë për rrëzimin e Qeverisë Hoti

Rrëzimin e Qeverisë Hoti nuk po e kërkojnë vetëm partitë në opozitë, por po e kërkon edhe deputeti i partisë në pozitë, Haxhi Avdyli (LDK), deputet që kishte votuar së bashku me Vjosa Osmanin kundër rrëzimit të qeverisë Kurti.

Deputeti Avdyli konsideron se Qeveria Hoti tashmë nuk i ka numrat në Kuvend, dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Avdyli në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka pohuar se Qeveria po bojkotohet në vazhdimësi edhe nga Lista Serbe.

Hoti ia kërkon dorëheqjen shefit të AKI-së

Të enjten, më 17 dhjetor kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar Kreshnik Gashit, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Kështu bëhej e ditur në njoftimin për media të Kryeministrisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, i ka kërkuar z. Kreshnik Gashi, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI)”, thuhet në njoftim.

Gashi ishte emëruar në këtë pozitë në nëntor të vitit 2019.

Prokuroria nuk jep datë për përfundimin e hetimeve ndaj Thaçit e të tjerëve, thotë se gjykimi mund të nis në shtator

Gjykata Speciale ka thënë se procesi i hetimeve mund të vazhdojnë dhe se nuk kanë ndonjë datë se kur mund të përfundojnë.

Prokurori ka deklaruar se është në dijeni të shqetësimeve që kanë dalë nga rrethanat kur hetimet e gjata pas aktakuzës janë parë si arsye për vonesën e fillimit të gjykimit.

“Kjo në fakte në këtë rast nuk është ashtu. Në këtë rast Prokuroria kërkon një datë ku hetimet e mëtejshme do të kërkonin lejen gjyqësore dhe në këtë mënyrë do ta kufizonin fushëveprimin e hetimeve të mëtejshme. Pse ne nuk jemi në gjendje të japim një datë dhe nuk do të japim një për fundin e hetimeve, kjo nuk do të ndikoj keq në objektivin tonë për një gjykim të shpejtë dhe të drejtë”, tha Prokurori.

Tërheqja e 10 përqindëshit, qytetarët që kanë aplikuar prej datës 11 deri më 17 do t’i marrin paratë më 23 dhjetor

Të premten, më 18 janar Fondi i Kursimeve Pensionale ka njoftuar se qytetarët që kanë aplikuar për tërheqjen e 10 përqindëshit prej datës 11 deri më 17 dhjetor pagesën do të marrin më 23 dhjetor.

Kështu ka bërë të ditur Fondi i Kursimeve Pensionale, transmeton Telegrafi.

“Të nderuar kontribuues, për aplikimet që janë kryer prej datës 11 deri më 17 dhjetor, ekzekutimi i pagesës së 10%-shit nga Trusti, siç edhe është njoftuar gjatë aplikimit, pritet të bëhet më 23 dhjetor 2020”, thuhet në njoftim.

Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit ka filluar më 11 dhjetor, ndërsa do të jetë i hapur katër muaj deri më 6 prill 2021.

Dështon mbajtja e seancës, Vetëvendosje ‘proteston’ kundër pranisë së Selmanajt në Kuvend

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka ndërprerë punimet e seancës së Kuvendit, pasi lëvizja Vetëvendosje pamundësoi vazhdimin e saj, duke brohoritur “jashtë jashtë”. Ata nuk u pajtuan praninë e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj në kuvend.

Nagavci tha se nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë dhe ndërpreu seancën.

Ajo tha se pasi të mbahet një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit do të vendoset rreth kësaj seance.

Nga LVV kanë thënë se do t’i pengojnë edhe seancat tjera në qoftë se në sallë është i pranishëm zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori