LAJMI I FUNDIT:

Nji reflektim për ontologjinë e nji nâne!

Nji reflektim për ontologjinë e nji nâne!

Nga: Halil Matoshi

Për Zojë Prendin


I.

Buzëqeshja e Nânës Zojë se si m’doket e njofshme, jo vetëm që âsht e ni nâne vigane kosovare, por ajo sikur i buzëqesh lirisë sonë, fitue me aq shumë përpjekje e martirizime, me aq shumë vuejtje por edhe dëshirim epik!

II.

Mizoritë e fashizmit serb që kanë ra mbi shqiptarët e Kosovës janë aq të dokshme dhe aq zor të përballueshme, por qe nji Nânë e madhe si Zojë Prendi na dëshmon lidhjën tonē me Perēnditë! Nji Nânë që na buzëqesh neve të gjallëve: “Ta gzoni lirinë!”, sikur na thotë. Kujdesuni për lirinë, ajo duhet me u kultivu me drejtësi e urtësi!

Se liria lëndohet.

III.

E njoh këtë buzëqeshje përtej çdo diskutimi racional për luftën dhe lirinë, ajo âsht eternale.

E kam pa tek nâna jeme kur serbët me morën para syve të saj për me më përolasë në Kamp Përqëndrimi.

E kam pa këtë buzëqeshje ikonike në fytyrën që rrezatonte dritë të Fehmi Lladrovcit, para kamera e të BBC-së, kur fliste se ka me kanë i lumtun me bâ dekën për lirinë e Kosovës!

E kam pa tek vllau ma i vogël i katër Dvoranve të Drenisë, vramë p’ej fashistave serbianë, dhe në fytyrën e Ferdonije Qerkezit që serbët ia rrëmbyen krejt jetën e saj dhe e kam pa në sytë e Qerim Pajazitit e Ilmi Haradinajt, sa herë âsht folë për lirinë e Kosovës.

E kam pa në sytë e refugjatëve kur ktheheshin në votrat e tyne dhe tash e kuptoj ma mirë çmimin e lirisë!

IV.

Nâna Zojë na fal neve që dham shumë ma pak për lirinë e Atdheut, po në këtë enigmë nuk ka garë, por âsht e shkrume nga Hyu, nga ni Zot i dashtunisë që i merr afër benjaminët e vet, që i buzëqeshin lirisë!

Si bijt Tuej, Gjergji, Marku, Roberti, Viktori e Sokoli, që jam i bindun se do të kenë buzëqesh pak para lirisë, tue u bâmun lajmësit e saj!

Ata kanë dasht me na thânë: “Shqiptarë bahuni gati, për lirinë, mos kini frikē nga ajo por mos e lēndoni, se në secilën fjalë që e shpreh, jemi na, dëshmorët!”

V.

Nâna Zojë ne nuk arritëm hala me e vendos drejtësinë në këtë tokë bojgjaku, ti u bâne ma e shpejtë dhe u bashkove me t’dashtunit tuej, në nji kozmogoni tjetër, qe na s’e njohim!

Por, thmia jonë dhe shumë breza mas tyne, nashta deri më fundin e kohës, kanë me qenë krenar se çfar nânash t’bâmuna krejt zemër ka Kosova, e kur kanë me pa trimni nëpër kohë, e kyr kanë me u ndesh me rrufetë, kanë me thanë si Nâna Zojë!

Dhe, ndër gzime kur dikush ka me buzëqesh si Zojë, kanë me thânë si Nâna!

Hyjnia e mbramë në tokë!

Krejt dritë për kit Atdhe, pesë jetët qe i ke kriju ti.

VI.

Dritë si buzëqeshja jote, kjo çelnajë shpirti, ma e amla në tokën e Kosovës!

Unë nuk t’kam njoftë, por m’u bâne si Nâna jeme sot dhe më fal qe po t’drejtohna në vetën e parë: Nânë, ma e hyjnishmja fjalë e shqipës, që unë e zbërthej si “Na” që jemi “Në”…jetë!

Kurse me Qeshë dmth me kanë e me u lumtunu me tjetrin/tjerët, me jetën, pra qesh dhe je e/i kanme/kanun; sëkëndejmi ekzistencë, prani e mungesës së nji Zoti.

VII.

Ti je ni ndër dëshmitë kuptimplote pse jemi të lirë!

Hem Nânë hem Zojë!

Dalzotse!

Paqja dhe hiri i Hyut të mbuloftë.