LAJMI I FUNDIT:

Njeriut të çeliktë

Njeriut të çeliktë

Drejtor, sot është dita jote – 23 Marsi. Kjo datë – më shumë se kurrë – sot e kërkon praninë tënde. Është përvjetori i thyerjeve të mëdha. Është përvjetori i gishtërinjve kundër Serbisë, kundër gjenocidit, kundër aparteidit.

Ky 23 Mars është i pari pa ty. Është vetëm edhe një nga ditët tjera në të cilat ti na mungon shumë. Është dita dhe data kur ti ndjeheshe më ndryshe nga ditët dhe datat tjera. Është 23 Marsi që ma kujton frazën tënde: “Atë ditë edhe ajri ishte i ngrirë”.


Është 23 Marsi që ti e quaje ‘të jesh apo të mos jesh’. Shpjegimi yt në kujtim të kësaj date edhe sot më vjen në vesh: “Më shpëtuan rastet”.

Sikur historiografia e popullit shqiptar të kishte kohë më të tepërt, do të bënte mirë që të fliste e shkruante për një rrëfim të lënë ndoshta përgjysmë. Faqe të trasha të saj me siguri se do të mbusheshin me një aparteid të paparë. Me vrasje, prangosje, persekutime, burgime e dënime, e çka jo tjetër – krime makabre.

Drejtor, sot kur’ kaluar në përjetësi, pusho krenar. Pusho krenar, sepse dinjitetshëm i ke bërë vend vetes në histori.

Sinqerisht, ju keni një meritë të madhe, e cila do të mbetet dhe diskutohet gjatë, edhe mes nesh, gazetarëve të thjeshtë, politikanëve e akademikëve. Shqiptarët sot më shumë se kurrë kanë nevojë për idetë e juaja, këshillat dhe burrërinë tënde, Drejtor.

26 vjet nga 23 Marsi (1989) i suprimimit të autonomisë së Kosovës. Nga 190 delegatë të pranishëm së sallën e Kuvendit, 10 prej tyre votuan kundër suprimimit të autonomisë së atëhershme, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Në mesin e tyre edhe Riza Lluka.

Njeriut të çeliktë – Riza Llukës.

(Autori është zëvendëskryeredaktor i TV Dukagjini)