LAJMI I FUNDIT:

Një tregtar anonim ka bërë që Bitcoin të arrinte vlerën 20 mijë dollarë para dy vjetësh

Një tregtar anonim ka bërë që Bitcoin të arrinte vlerën 20 mijë dollarë para dy vjetësh

Rritja e shpejtë e çmimit të Bitcoinit në vitin 2017 është shkaktuar nga një tregtar anonim i kriptovalutës. Në këtë përfundim arritën profesorët John Griffin nga Universiteti i Teksasit dhe Amin Shams i Universitetit të Ohios, duke analizuar 200 Gigabajt të dhëna të historisë së kriptovalutës.

Në hulumtimin e tyre thuhet se rritja e çmimit të Bitcoinit është manipuluar nga volume të mëdha tregtimi.


“Ky lojtar i madh i Bitcoinit ka shkaktuar një valë të atillë në industrinë e kriptovalutave, e cila nuk arrihet dot nga tregtarët e vegjël”, pohojnë profesorët, përcjell Telegrafi.

Çmimi i Bitcoinit është tejet i luhatshëm dhe reagon në forma të ndryshme sipas ngjarjeve gjeopolitike dhe vendimeve të autoriteteve rregullatorë në botë.

Pas çmimit prej 20 mijë dollarësh që arriti në muajin dhjetor të 2017-së, Bitcoin përjetoi një seri rëniesh gjatë vitit 2018 duke rënë deri nën 4 mijë dollarë. Këtë vit çmimi i Bitcoinit është rritur gradualisht dhe aktualisht sipas CoinMarketCap ka vlerën prej 9,300 dollarë.

Vlera aktuale e Bitcoin | Burimi: CoinMarketCap

Shumë njerëz mendojnë se manipulimi i kësaj kriptovalute mund të ndikohet nga një këmbim i vetëm i madh tregtar.

Një rënie prej 1,000 dollarë në vlerën e Bitcoinit në një orë u shkaktua nga shitja e 5,000 Bitcoinëve me vlerë afro 40 milionë dollarë.

Shefi ekzekutiv i një prej bursave më të mëdha në botë Binance, Changpeng Zhao, parashikoi se Bitcoin shumë shpejtë do të arrijë vlerë në 16 mijë dollarë.

Shumë ekspertë janë të mendimit se përsëri kriptovaluta do të arrijë rekordet e vitit 2017, ndërsa të tjerë thonë se Bitcoin është shumë larg shfrytëzimit të potencialit të tij. /Telegrafi/