Një mësim për rezistencën nga Gjermania naziste

Nga: Jonathan Freedland, kolumnist i ditores The Guardian dhe autor i librit në proces botimi, Qarku i Tradhtarëve: Historia e vërtetë e një rrjeti sekret të rezistencës në Gjermaninë naziste - dhe spiuni që i tradhtoi ata [The Traitor’s Circle: The True Story of a Secret Resistance Network in Nazi Germany - and the Spy Who Betrayed Them] / The New York Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Teksa sundimtarët autoritarë po fitojnë terren nëpër botën demokratike, duke shënuar përparim jo vetëm në Hungari dhe Turqi, por madje edhe në Shtetet e Bashkuara, një pyetje nga shekulli XX është rikthyer në shekullin XXI - një pyetje që u drejtohet si individëve ashtu edhe institucioneve. Thënë me pak fjalë: kush i nënshtrohet tiranisë dhe kush e ballafaqon atë?
Një e dhënë për ta kuptuar këtë mund të gjendet në një episod të vlefshëm dhe të jashtëzakonshëm brenda Rajhut të Tretë - pothuajse i harruar për gati 80 vjet. Në qendër të tij ndodhet një grup i lirë prej rreth dhjetë miqve dhe të të njohurve nga shoqëria e lartë gjermane - si aristokracia, ashtu edhe elita profesionale. Rrethi i tyre ndër të tjerë përfshinte jo një, por dy kontesha, vejushën e një ambasadori, një diplomat, zyrtarë të lartë shtetërorë (në detyrë dhe ish-zyrtarë), një mjek, një drejtoreshë novatore shkolle dhe një ish-modele. Ajo që gjetën te njëri-tjetri ishte gatishmëria e përbashkët për t’i bërë ballë Hitlerit - në vepra të mëdha dhe të vogla.
Por, supozimi i tyre për një qëllim të përbashkët rezultoi fatalisht i gabuar. Në shtator 1943, ata u mblodhën për një gosti çaji - pa e ditur se njëri prej tyre ishte gati t’i tradhtonte që të gjithë te Gestapo. Ky akt do të çonte në arrestime dhe burgosje dhe, për disa nga të pranishmit atë ditë, në vdekje - qoftë me gijotinë, qoftë me varje. Pasojat do të arrinin deri në majën më të lartë të shtetit nazist.
Misteri themelor që përshkon këtë histori nuk është vetëm identiteti i tradhtarit, por edhe pse njerëz me privilegje dhe pozita - që mund të kishin zgjedhur lehtësisht të qëndronin të heshtur - vendosën të rrezikonin gjithçka. Po të ishin rreshtuar me regjimin, pasuritë, karrierat dhe pronat e trashëguara do të kishin mbetur të paprekura. Do të mund të kishin kaluar luftën pa asnjë pasojë. Por, ata zgjodhën një rrugë tjetër.
Merreni si shembull Otto Kiepin, 57 vjeç në kohën e takimit për çaj - një diplomat që kishte siguruar postin tërheqës të konsullit të përgjithshëm gjerman në qytetin e Nju-Jorkut, gjatë viteve të fundit të Republikës së Vajmarit. Në vitin 1933, ai mori një ftesë për të qenë pjesëmarrës në një darkë në nder të një bashkëkombësi të shquar, Albert Einstein, i cili gjithashtu qëlloi të ishte hebreu më i famshëm në botë. Ta pranonte ftesën do të thoshte të përballej me zemërimin e zotërinjve të tij të rinj nazistë, të cilët vetëm disa javë më parë kishin ardhur në pushtet. Ta refuzonte, do të nënkuptonte se po rreshtohej me fushatën e tyre të persekutimit antisemit. Kiepi e pranoi ftesën dhe mbajti një fjalim në nder të Einsteinit. Kjo nxiti thirrjen urgjente për t’u kthyer ai në Berlin, ku do të përballej me vetë Fyrerin.
Ose, merreni si shembull Maria von Maltzanin, konteshën e re që e kishte kthyer apartamentin e saj në Berlin në një strehë të paautorizuar për “nëndetëset” - hebrenj të detyruar të jetonin në fshehtësi, siguria e të cilëve varej nga heshtja dhe padukshmëria. (Mes tyre ishte edhe i dashuri hebre i ndaluar i zonjës von Maltzan.) Ose mikesha e saj, kontesha Lagi Solf, e cila theu rregullat që ndalonin kontaktin me hebrenjtë për të blerë ushqime për “nëndetëset”. Ajo mbante zakonisht çanta të mbushura plot me ushqime, njërën në secilën dorë. Në këtë mënyrë, nëse ndeshej me dikë në rrugë, nuk mund të bënte përshëndetjen e detyrueshme Hajl Hitler.
Duke shfletuar arkivat, përfshirë letrat, ditarët dhe dëshmitë gjyqësore të lëna pas nga grupi, dhe duke folur me të afërmit e atyre që kanë mbijetuar, kam filluar të gjej një përgjigje pse disa ishin në gjendje t’i thoshin jo një regjimi të fuqishëm dhe të tmerrshëm, ndërsa shumica dërrmuese e fqinjëve të tyre ulnin kokën dhe thoshin po.
Disa prej tyre ishin të krishterë të devotshëm, të bindur se në fund të fundit nuk do t’i jepnin llogari Adolf Hitlerit, por Jezu Krishtit. Ndoshta më e përkushtuara ishte zonja e shtëpisë në gostinë fatale: edukatorja novatore, Elisabeth von Thadden, shkolla e së cilës - Shtëpia Protestante e Arsimit Rural për Vajza, e themeluar gjashtë vjet përpara Rajhut të Tretë - pranonte në mënyrë të fshehtë nxënëse hebreje, teksa familjet e tyre përpiqeshin të siguronin dokumentet për t’u larguar nga vendi. Bindja se i jepte llogari vetëm Zotit e ndihmoi zonjën von Thadden të përballej me inspektorin e Gestapos që erdhi për të hetuar shkollën e saj për “mangësi bindjesh”, pasi autoritetet kishin zbuluar se ajo kishte recituar një psalm nga Dhiata e Vjetër i cili për ta përmbante njollën e pafalshme të shkrimeve hebraike. (Një nxënëse 13-vjeçare ishte ajo që spiunoi.)
Të tjerët nga grupi rebel ishin bij të aristokratëve, të bindur se besnikëria e tyre më e lartë nuk i takonte nacional-socializmit, por paraardhësve të tyre. Hitleri mund të kishte ëndërruar një Rajh 1000-vjeçar, por këto familje kishin sunduar Gjermaninë prej shekujsh. Ata besonin se klasa e tyre përfaqësonte Gjermaninë e thellë dhe të vërtetë, të përshkuar pjesërisht nga ideali patrik i dhembshurisë për të dobëtit. Nazizmi do të ishte modë kalimtare; ishin ata - dhe trashëgimia aristokratike që përfaqësonin - ajo që do të mbetej.
Kështu ndodhi që Maria von Maltzan të mund të fliste me përçmim të padurueshëm ndaj burrave të Gestapos që bastisën apartamentin e saj. Kur ata kërkuan që ajo të hapte ndarjen prej druri nën një divan-krevat - ku fshihej i dashuri i saj, duke mbajtur frymën - ajo u shpjegoi se ndarja nuk hapej dhe se, nëse policia sekrete ishte aq e sigurt se dikush fshihej brenda, le të qëllonin me armë. Ajo pothuajse i sfidoi që ta bënin. Por, këmbënguli ajo, nëse do ta bënin, do të duhej ta kompensonin për dëmin dhe ta premtonin këtë paraprakisht me shkrim. Manovra e saj, duke përdorur gjithë arrogancën që vinte nga kasta e saj, funksionoi. I dashuri i saj mbijetoi.
Disa prej figurave kyçe në këtë dramë ishin gra të cilat kishin një tjetër aspekt të dallueshëm në edukimin e tyre: marrëdhënie të ngushtë me një baba të fortë. Kjo ishte e vërtetë për zonjën von Thadden dhe për të dyja konteshat, Maria dhe Lagi. Në të tri rastet, gratë jo vetëm që duheshin nga baballarët e tyre; ato e kishin besimin e tyre. Në një mënyrë që ishte e pazakontë për kohën para feminizmit modern, ato vlerësoheshin si të barabarta me burrat, të afta të merrnin përsipër çdo detyrë. Shumë kohë pasi baballarët e tyre kishin vdekur, gratë e ruajtën atë vetëbesim. Deri në kohën kur nazistët do të sundonin Gjermaninë, ky vetëbesim ishte kthyer në guxim.
Forca e atyre grave mbështetej nga ajo bindje e thellë që ndoshta është përcaktuesi kryesor për të kuptuar se kush i bën ballë një regjimi shtypës dhe kush i nënshtrohet atij: besimi në një autoritet më të lartë sesa qeveria e ditës. Shumica e rebelëve në atë takim gjithashtu e kuptuan se besimi i tillë kërkonte veprim, jo vetëm mendim.
Për disa, kjo përkthehej në gjeste të vogla mosbindjeje, si Lagi Solf me qeset e saj për blerje. Për të tjerët, si Otto Kiep, nënkuptonte akte të guximshme rezistence, duke u afruar rrezikshëm pranë një komploti për të vrarë Hitlerin. Nëpërmjet veprimeve të mëdha dhe të vogla, ata dëshmuan - për veten dhe për njëri-tjetrin - se bindja nuk ishte e vetmja zgjidhje.
Për të qenë të qartë, shumica e gjermanëve aristokratë nuk u rebeluan kundër Hitlerit. Përkundrazi, fisnikëria gjermane në përgjithësi u rreshtua pas nazistëve, të tërhequr pjesërisht nga premtimi i Fyrerit për të rikthyer titujt e fisnikërisë që ishin hequr gjatë epokës së Vajmarit. Dhe, sigurisht, nuk mund të bëjmë krahasime të thjeshta midis asaj kohe e atij vendi dhe epokës sonë.
Por, nëse ka një mësim për të nxjerrë nga fati vdekjeprurës i atyre burrave dhe grave, ndoshta është ky: mbrojtja më e mirë kundër tiranisë është një legjion njerëzish që besojnë në një autoritet më të lartë se çdo program politik, princ - apo president. /Telegrafi/




















































