LAJMI I FUNDIT:

Një luftë për besimin verbërisht e jo për fakte

Një luftë për besimin verbërisht e jo për fakte

Ka zgjedhje që në fakt nuk do t’i fitosh. Pas një viti udhëtimesh intensive për reportazhe në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, parashikimi im për zgjedhjet presidenciale para dy vitesh ndryshonte fort me mendimin mbizotërues. Për mua ishte e qartë atëherë, që Donald Trump kishte shanse shumë të mira për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Ai ia arriti kësaj. E për këtë bast unë fitova një shishe Bourbon.

Tani dy vjet më vonë, të martën, sërish do të votohet në SHBA. Në fakt nuk është fjala më për presidentin, por për deputetët rajonalë që do të zgjidhen për të dyja dhomat e parlamentit. Por, në Amerikën e Donald Trumpit, në skenën politike nuk ka asgjë që mos të ketë të bëjë me të. Përkatësisht, po kaq intensivisht ai është përfshirë në luftën elektorale dhe gjatë javëve të fundit ka punuar për agjendën e vet, që ta ndajë botën në miq dhe armiq. Si p.sh. duke dërguar më shumë ushtarë në kufirin me Meksikën, nga sa janë dislokuar në Irak.


Me këtë presidenti ua lehtëson punën kundërshtarëve të tij. Stili i tij troç, agresiv, ekzagjerimet e tij, e gënjeshtrat e tij, provokojnë pa asnjë mëdyshje, objektet e tij të sulmit nuk lenë asnjë sulm presidencial pa përgjigje. Kjo e mban atë vet në aktivitet, por i frenon demokratët, që ata të fokusohen tek vetvetja dhe tek ripërtëritja në personel e program. Ata duke u indinjuar për çdo “tweet” të Trumpit, lënë pas dore formësimin e një kandidati, i cili pas dy vjetësh me karizëm dhe me përmbajtjet e duhura do të mund ta pengonte Trumpin, të merrte një mandat të dytë presidencial.

Kjo është mjaft e rrezikshme në një sistem dy partiak polarizues, sepse askush nuk është i varur nga koalicionet, që në një farë mase ta imponojnë gatishmërinë për kompromise. Por është parimisht e dëmshme për demokracitë, kur kampet janë kaq të përçara, aq sa askush nuk e dëgjon më palën tjetër. E që ndonjëherë edhe të mund ta pranojë që pala kundërshtare ka të drejtë.

Por, problemi më me pasoja që vendi do të trashëgojë nga Donald Trump është, shkatërrimi i aftësisë për të debatuar mbi argumentat. Sepse këtë e ka arritur tashmë mjeshtri i mesazheve në twitter dhe i polarizimeve. Njerëzit duan të besojnë, atë që ai thotë. Ata duan të besojnë, që ai sërish po bën që vendi i tyre të fitojë madhështinë e vjetër. Ata duan të besojnë, që një president i fortë i ҁliron ata nga sfidat e kësaj bote komplekse të globalizuar dhe u zgjidh atyre problemet.

Besimi nuk është dije. Faktet, dallimi mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, humbasin gjithnjë e më shumë rëndësinë. Kjo është e vërteta e hidhur pas një viti lufte elektorale të Trumpit dhe pas dy vjetësh të presidencës së tij. Nëse hapësirat e jehonës së tij do të trazohen një herë e po ashtu edhe tifozit më të madh i tij do t’i duhet të kuptojë, që Trump thjesht ka gënjyer, atëherë kjo nuk do të ketë asnjë efekt. Sepse faktet nuk vlejnë më. Ky është problemi i mirëfilltë i Amerikës.

Nëse gjatë kërkimit të së vërtetës, rëndësia e fakteve nuk luan më rol dhe gënjeshtrat kalohen sikur të ishin pakujdesi të vogla, atëherë nuk është më i mundur formimi demokratik i mendimit. Kjo do të thotë tek e fundit, që nëse lëkundet themeli i të kuptuarit tonë të shtetit dhe demokracisë, autokratët jo vetëm që marrin pushtetin, por afatgjatë edhe mund ta sigurojnë atë.