LAJMI I FUNDIT:

Një luaneshë bredhë rrugëve të Berlinit, policia paralajmëron qytetarët

Një luaneshë bredhë rrugëve të Berlinit, policia paralajmëron qytetarët

Policia e Berlinit dërgoi një paralajmërim se një grabitqar i madh, ndoshta një luaneshë, është e lirë në periferitë jugore të Berlinit.

Banorët paralajmërohen të mos dalin nga shtëpitë e tyre dhe të mbajnë kafshët shtëpiake brenda, transmeton Telegrafi.


Policia dhe zjarrfikësit njoftuan herët në mëngjes përmes mediave sociale se besojnë se kafsha e egër e pikasur gjatë natës, ka të ngjarë të jetë një luaneshë.

“Nuk e dimë se nga erdhi ajo”, tha zëdhënës i policisë lokale.

Ai shtoi se kopshtet zoologjike, parqet e kafshëve, cirqet dhe objektet e mirëqenies së kafshëve në zonë, nuk e kanë raportuar luaneshën të zhdukur.

Një dëshmitar lajmëroi policinë për praninë e maces së madhe, pasi e filmoi atë në shkurre nga vetura e tij.

Disa dëshmitarë pretenduan se kishin regjistruar një video të një grabitqari të madh që gjuante dhe vriste një derr të egër.

Policia tha se helikopterët po përdoreshin për të kërkuar kafshën në periferi të Kleinmachnow dhe në komunitetet fqinje.

Kleinmachnow ndodhet në periferi jugore të Berlinit dhe ka rreth 20,000 banorë. /Telegrafi/