Artistja nga Siria e shndërron lëkurën në vepra arti me teknikën e djegies

Yememe Turkmeni, e cila jeton në provincën e Halepit në Siri, po punon shumë për të mbajtur gjallë artin tradicional të djegies së lëkurës, i cili po përballet me rrezikun e zhdukjes.
Arti i djegies së lëkurës, i rrallë dhe që kërkon mjeshtëri të lartë, realizohet duke aplikuar mjete metalike të nxehura mbi sipërfaqen e lëkurës natyrale.

Artizanët duhet të rregullojnë me shumë saktësi nivelin e temperaturës dhe presionit për të krijuar detaje të imta dhe kalime tonesh.
Edhe pse në të kaluarën ka qenë një veprimtari e njohur në rajon, sot numri i personave që e ushtrojnë këtë art është shumë i vogël.
Duke folur për Anadolu, Turkmeni tha se merret me këtë art prej 26 vitesh.
"Edhe pse kjo artizanatë është shumë e vjetër, në Halep pothuajse ishte harruar. Kishte shumë persona që merreshin me artin e djegies mbi dru, por shumë pak që punonin mbi lëkurë", u shpreh ajo.

Duke thënë se e nisi rrugëtimin e saj artistik duke dizajnuar çanta lëkure për veten dhe vajzat e saj, Turkmeni u shpreh se pas kërkesës së madhe nga rrethi i saj e zgjeroi gamën e produkteve dhe me kalimin e kohës filloi të prodhonte panele muri, tablo tavoline dhe objekte dekorative të veçanta.
Duke theksuar se dëshiron t'ua mësojë më shumë njerëzve artin e djegies së lëkurës, Turkmeni tha se u ka dhënë edhe vajzave të saj trajnim në këtë fushë, por për shkak të jetës së tyre arsimore mundësitë për të punuar së bashku kanë mbetur të kufizuara. /AA/



































