LAJMI I FUNDIT:

Një javë pa rrymë, por ky nuk është problemi i vetëm i banorëve të lagjes “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë

Një javë pa rrymë, por ky nuk është problemi i vetëm i banorëve të lagjes “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë

Banorët e lagjes ‘Kroi i Vitakut’, po përballen çdo ditë e më shumë me probleme të ndryshme.

Atje jetojnë afër 60 familje, ku 15 prej tyre që një javë janë në terr. Shkak, prishja e kabllove të energjisë elektrike.


Nazmi Ismajli, kryetar i Këshillit të Veriut të Mitrovicës në një prononcim për Telegrafin ka thënë se banorët e lagjes ‘Kroi i Vitakut’, nuk po gjejnë mbështetje për rregullimin e energjisë elektrike.

Sipas tij, ata kanë kërkuar ndihmë nga dy komunat e Mitrovicës, mirëpo fjalët e banorëve kanë rënë në vesh të shurdhët.

“Rryma është ndal që një javë. Edhe vjet ka qenë i njëjti rast, por kanë ardhur nga jugu dhe na e kanë rregulluar. Ndërsa sivjet është situata shumë e keqe… Nuk kemi mbështetje as nga komuna e veriut. Nuk kemi rrymë, tash duhet me bo zgjidhje qysh të mundemi ose duhet me ndejt në terr. 10 – 15 familje janë në terr. Atyre po ashtu ju kanë prishur edhe pajisjet teknike, shkak rryma”, thotë Ismajli për Telegrafin.

Ndërkaq, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Bushala në një prononcim për Telegrafin ka thënë se KEDS-i nuk ka qasje në atë pjesë të vendit.

Sipas tij, veriu është pjesë e negociatave me Serbinë.

“Me tu krijuar kushtet normale, sidomos parametrat e sigurisë ne jemi të gatshëm të veprojmë. Por, dihet se kjo çështje është pjesë e negociatave me Serbinë. KEDS e ka planin dhe është i gatshëm të veprojë në përputhje me marrëveshjet që dalin si rezultat i atyre negociatave”, ka thënë Buzhala.

Për të mos mjaftuar vetëm ky problem dhe shumë probleme tjera me të cilat ata përballen për çdo ditë si punësimi, transporti etj, Smajli tha se barrikadat që po i bëhen qytetit paraqesin rrezik për shqiptarët të cilët banojnë në veri.

Sipas tij, muri i ndërtuar afër urës së lumit Ibër paraqet ndarje e jo bashkim.

“Problemi më i madh është që serbët nuk të lejojnë të ndërtosh shtëpi këndej. Edhe muri në veri që është ndërtuar është simbol i ndarjes dhe jo i bashkimit. Nëse nuk bëhet rrënimi i atij muri, le ta dinë krejt që banorët e veriut ndihen të rrezikuar. Institucionet tona duhet të ndërmarrin diçka, pasi ndihemi të rrezikuar”, ka thënë kryetari i Këshillit të Veriut. /Telegrafi/