LAJMI I FUNDIT:

Një 62-vjeçar vdes në Kaçanik, i humbi vetëdija teksa ishte në rimorkion me ngarkesë të një kamioni

Një 62-vjeçar vdes në Kaçanik, i humbi vetëdija teksa ishte në rimorkion me ngarkesë të një kamioni
Foto: Ilustrim

Një 62-vjeçar me inicialet M.D raportohet se ka ndërruar jetë këtë të hënë në fshatin Doganaj të Kaçanikut.

Nga hetimet e para dyshohet se viktima derisa ishte mbi rimorkion me ngarkesë të një kamioni, për një moment kishte rënë pa vetëdije mbi ngarkesë.


Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt.

Ai ka bërë të ditur se viktima është dërguar pa shenja jete në ordinancë në fshatin Kaçanik i Vjetër, nga punëtorët e një fabrike.

“Me datën 19.06.2023 rreth orës 11:22 policia e stacionit në Kaçanik ka pranuar një informatë se në një ordinancë në Fshatin Kaçanik i Vjetër është pranuar një pacient pa shenja jete, i cili ishte dërguar nga disa punëtorë të një fabrike nga fshati Doganaj të Kaçanikut. Patrulla policore së bashku me njësinë e hetimeve të stacionit të Kaçanikut e më pas krim-teknikët dhe hetuesit rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar edhe me mjekun e ordinancës, i cili ka konfirmuar vdekjen e viktimës M. D (M/K) i moshës 62 vjeçar”.

“Nga hetimet e para dyshohet se viktima derisa ishte mbi rimorkion me ngarkesë të një kamioni, për një moment kishte rënë pa vetëdije mbi ngarkesë. Nga hetimet që janë zhvilluar nga hetuesit rajonal nuk ka dilema që mund t’i ketë shkaktuar lëndime ndonjë person tjetër”, ka thënë Veseli.

Në lidhje me këtë është informuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij iniciohet rasti “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

Ndërsa, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion./Telegrafi/