LAJMI I FUNDIT:

Nishani-Veliajt: Hajduti e ka vendin në qeli

Nishani-Veliajt: Hajduti e ka vendin në qeli

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani iu përgjigj sot akuzave të bëra nga kryebashkiaku Erion Veliaj, në lidhje me pronën e kishës në Elbasan, duke kërkuar shqyrtimin dhe vërtetimin e tyre nga drejtësia.

“Natyrisht që një njeri kushdo qoftë ai, që vjedh, ka vetëm një emër, hajdut. Unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e institucionit të Presidentit të Republikës, në krye një njeri që është hajdut. Hajduti e ka vendin në qeli. E ka vendin përballë ligjit, hajduti dënohet sipas ligjit të shtetit dhe kodeve”, tha Nishani.


Duke iu referuar akuzave të bëra në emisionin “Opinion”, presidenti Nishani risolli përmes një ekrani akuzat e Veliajt të bëra 3 ditë më parë:

“Ky është një njeri që zhgënjeu qeverinë me mënyrën si trajtoi Visar Zhitin, me mënyrën si vodhi pronën e kishës katolike në Elbasan. Ky është një njëri që disa herë me të gjithë ministrat ka shkuar kundër interesit publik për interesin personal. Gjithmonë kam besuar që përtej një njeriu tamahqar për pronën e kishës në Elbasan, përtej një njeriu të lig, të lig kundër Visar Zhitit për emërimin në ambasador, mund ta them me plot gojë. E them këtë me plot gojë se askush nuk është shkel në besë siç jam shkelur unë. Isha i vetmi zyrtar edhe në Tiranë edhe në qeveri që ruaja një marrëdhënie respekti e kam nderuar në çdo situatë, kam pasur komunikim serioz prandaj jam i zhgënjyer. Unë jam i zemëruar me presidentin se zgjodhi të ishte president i një partie të vogël”, përfundoi Veliaj.

Duke iu referuar këtyre akuzave, Nishani kërkoi që prokuroria të nisë hetimet për të vërtetuar dhe identifikuar “hajdutin”:

“Kjo çështje i kalon drejtësisë për shqyrtim. Drejtësia ka për qëllim të vërtetojë akuzat dhe të identifikojë presidentin si hajdut në bazë të krimit që ka kryer. Ose përdhosjen e shtetit shqiptar ta dërgojë përballë ligjit. Kjo është një rrugë pa kthim pa ndalesë prandaj unë ju ftoj që ta ndiqni me vëmendje të posaçme gjykimin e drejtësisë”.

Presidenti Nishani iu referua edhe protestës së djeshme të kryebashkiakut Erion Veliaj para gjykatës, për të kërkuar hetimin e atij që ai e quajti “sulm i dhunshëm terrorizues ndaj Apelit Administrativ”./Shekulli/