Kompania franceze Voltalia nisi sot në Karavasta të Shqipërisë ndërtimin e centralit më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli në Ballkanin Perëndimor. Parku pritet të jetë në funksion në mesin e vitit 2023.

Gjatë një ceremonie me rastin e fillimit të punës sot në Karavasta, Kryeministri Edi Rama tha se të tjera investime të kompanisë fanceze do të vijojnë në Shqipëri, për të cilat u shpreh se kishte folur edhe në Samitin e NATO-s me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Duke e cilësuar me leverdi blerjen e energjisë nga Voltalia me një çmim prej 24.89 euro, Rama tha se pavarësisht rritjes në tregje, qeveria e tij ka marrë masa lehtësuese për familjarët dhe biznesin e vogël.

Nuk heq dorë nga vizioni i Shqipërisë 2030, teksa paralajmëron se të qenit i pavarur në mbulimin me energji të brendshme në masën 100 për qind dikton nevojën e nisjes së projekteve të gazit.

Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh se investimi prej 100 milionë eurosh do t’i japë një frymëmarrje sistemit energjetik.

Balluku deklaroi se vendi do të marrë për 15 vite 70 megavat orë me një çmim prej 24.89 euro.

“Është parku më i madh fotovoltaik në Ballkan me 140 megavat orë. Kjo ditë merr rëndësi më të madhe. Energjia që ne prodhojmë mbulon vetëm 70 për qind të nevojave që ka vendi për konsum. Parashikimet për rritjet për çmimin e energjisë së importuar, janë hedhur poshtë pasi pritej që një megavat të ishte 250-260 euro, por ka arritur në 340 euro”, ka thënë ministrja.

“Voltalia është një nga kompanitë e prodhimit energjetik, që ka zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Energjia e prodhuar prej këtij parku do të jetë 24.89 euro për megavat orë. Në mesin e vitit 2023 kur parku do të jetë në funksionim ne do të marrim për 15 vite 70 megavat orë me çmim 24.89 euro. Këtu po nis investimi prej 100 milionë eurosh për ti dhënë një frymëmarrje sistemit energjetik”, tha Balluku.

Voltalia fitoi koncesionin 30-vjeçar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë në vitin 2020.

Projekti 140 megavat ju dha Voltalia-s me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më date 21 janar 2020, sipas një procedurave dhe procesit konkurrues të tenderit të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas termave të tenderit, Parku i Karavastasë do t’i shesë operatorit publik shqiptar 50% të energjisë elektrike nëpërmjet një kontrate shitjeje 15-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do t’i shiten me kontrata afatgjata operatorëve privatë. Impianti pritet të vihet në punë në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Impianti i ri i energjisë do të mbulojë konsumin vjetor të energjisë elektrike të rreth 220 mijë banorëve, dyfishi i konsumit të qyteteve shqiptare si për shembull Vlora apo Kamza. Ky impiant do të shmangë emetimin e më shumë se 96,500 ton CO2 në vit, i barasvlershëm me 9.5% të emetimit të sektorit industrial shqiptar. /Telegrafi/