LAJMI I FUNDIT:

Nikoliq: Europa po i kërkon Serbisë që ta njeh Kosovën

Nikoliq: Europa po i kërkon Serbisë që ta njeh Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomoslav Nikoliq ka folur pas takimit të shkurtër që pala serbe kanë pasur me Shefen e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Nikoliq ka pranuar se Europa po i kërkon Serbisë që të përmbush kushtet që lidhen kryesisht me Pavarësinë e Kosovës.


Ai këtë e quan të papranueshme dhe çështje që i rrinë shumë në zemër.

Ai tutje tha se “Mogherini s’ka paraqitur asnjë dokument që ne duhet ta nënshkruajmë. Ajo ka shprehur brengën që ka pengesa në dialogun Kosovë-Serbi”.

Sipas Nikoliqit, Mogherini iu ka thënë në takim se “ka çështje që duhet përgjigjur që të dyja palët pasi që situata është shumë e nxehtë”.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, kur një tren me mbishkrime, të cilat ne mendojmë se mund t’i vëmë, sepse ai është territori ynë dhe ashtu shkruan në Kushtetutën tonë – që askush nuk na e ka hequr as zyrtarisht, as jozyrtarisht – është bërë subjekt i shkatërrimit nga ana e disa njësive speciale të Kosovës, të cilat nuk është dashur të gjenden aty”, tha Nikolliq.

Sipas tij, “Beogradi kurrë nuk ka folur me kërcënime, me armë dhe me polici, kur shqiptarët kanë promovuar jo vetëm pavarësinë e Kosovës, por edhe Shqipërinë e madhe”.

“Të gjithë e kanë atë që mbajnë në zemër. E dimë se politikanët shqiptarë kanë në zemër pavarësinë e Kosovës dhe unë nuk kam asgjë kundër. Ne duam të jemi autoritet në ‘Kosovë e Metohi’, e dimë se kjo është e pamundur derisa ky territor është nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara”, tha Nikolliq.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë takohen sonte në Bruksel, me ftesë të Mogherinit.

Takimi është thirrur si një përpjekje e BE-së për t’i ulur tensionet midis dy palëve.

Më 14 janar, Kosova ka ndaluar një tren të nisur nga Beogradi, të hyjë në territorin e saj. Treni, me mbishrimin “Kosova është Serbi” dhe me simbole kishtare mesjetare, është parë si provokim në Prishtinë.

Një ditë pas ndalimit të trenit, Nikolliq ka thënë se ky veprim i Kosovës ka treguar se ajo dëshiron luftë me Beogradin. /Telegrafi/