LAJMI I FUNDIT:

Ngritja e çmimit të rrymës pritet të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve të tjera

Ngritja e çmimit të rrymës pritet të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve të tjera

Shtrenjtimi i mundshëm i energjisë elektrike nga 1 prilli, pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve tjera në vend. Kërkesa e kompanive energjetike për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, ka nxitur reagime te qytetarët, ekspertët e ekonomisë dhe bizneset, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti për të shmangur shtrenjtimin e rrymës.

Gjatë këtij muaji, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) pritet të bëjë shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Njohës të ekonomisë thonë se rritja e mundshme e tarifave do të ndikojë negativisht tek bizneset, duke i detyruar ato të rrisin kostot e prodhimeve finale.


Megjithatë, dyshime mbi transparencën e procesit të vendosjes së çmimit të energjisë, ka njohësi i energjisë, Hamdi Malushaj.

Ai thotë se qeveria duhet të ndërhyjë urgjentisht dhe të bëjë një auditim për të verifikuar nëse rritja është e justifikuar apo jo, duke e bërë këtë siç thotë ai proces më të hapur dhe të besueshëm.

“Patjetër se i dëmton dhe ndikon në ekonomi, inflacion, sepse rritja e energjisë është direkt e lidhur me kostot e produkteve…Pse po shtrenjtohet, a është e drejtë apo jo, cilat janë kostot? Për neve është e qartë se kostot e energjisë është e paqartë, nuk e dimë çka bënë KEDS, ZRRE, raportet mes tyre që gjithmonë kanë qenë të dyshimta, sepse në Kosovë ka ndodhë interferimi në institucione përmes kompanive dhe sa të sinqertë, sa e kanë kalkuluar dhe sa është e vërtetë rritja e çmimeve. Mendoj se qeveria duhet të ndërhyjë shpejtë, të bëjë një komision auditimi dhe të sqarohet a është e vërtetë apo jo, mos të “vajtojë” pastaj se paska qenë mashtrim. Nuk e besoj se është e analizuar deri në masën sa për qind kemi inflacion… Edhe ZRrE e cila ndikohet shumë prej kompanisë KEDS, nuk e dimë a është ZRrE e KEDS, a ZRrE e parlamentit, jam i dyshimtë tash sa mund të ketë të vërteta deklarata të ZRrE-së… Nuk është e bazuar në kalkulime të sakta profesionale (rritja)… Po ashtu s’është investuar, jo me standarde të EU-së”, thotë Malushaj.

Pronari i një kompanie në vend, Shaqir Palushi nuk përjashton mundësinë e rritjes së kostos së prodhimeve finale në rast se rritet çmimi i energjisë elektrike.

“Paralajmërimi nga ana e ZRrE-së për rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët e amvisërive, por edhe të atyre komerciale, sigurisht se mund të ndikojë në rritjen e kostos së prodhimeve finale të kompanive prodhuese, por kjo varet edhe nga ajo se sa do të jetë rritja”, thotë Palushi.

Nga ana tjetër, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi, nënvizon se bizneset e Kosovës po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së kostos së prodhimit, përfshirë energjinë dhe pagat e punëtorëve. Ai ka kërkuar që shteti të mbështesë prodhuesit dhe bizneset vendore, duke ofruar mundësi financiare që të mund të ofrojnë produkte më konkurruese në treg.

“Bizneset në përgjithësi janë duke u përballur me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së përgjithshme të kostos së prodhimit, qoftë çmimeve që janë aktuale edhe të energjisë dhe të tjerave, po ashtu edhe çmimet që po rriten me koston e rritjes së pagave të punëtorëve. Është edhe një nga problemet që kohëve të fundit është shfaq shumë dhe të cilat po krijojnë vështirësi që të dalin me kosto më të ulët në shitje, sidomos për bizneset prodhuese. Nuk janë duke pasur përkrahje të mjaftueshme nga shteti në mënyrë që të jenë më konkurrent në treg, duke marrë parasysh që kemi bërë disa marrëveshje ndërkombëtare… Prandaj, rritja e këtyre çmimeve do të dëmtojë biznesin dhe qytetarët sepse do të marrin produkte shumë më shtrenjtë, sepse do të rriten çmimet e prodhimit… Do duhej shteti të intervenojë, t’i përkrahë, sidomos prodhuesit dhe bizneset vendore. Shteti të mos japë para, por t’ju ju jep bono që me pas mundësi qytetari të blejë produkte vendore me kod, në mënyrë që të ketë mbështetjenë këtë mënyrë, sepse janë para që po shkojnë në blerjen e produkteve të huaja”, thotë Krasniqi.

Raportimet për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, ZRRE del me njoftim
Lexo po ashtu Raportimet për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, ZRRE del me njoftim

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj shprehet se shtrenjtimi i mundshëm i energjisë elektrikë është goditje për bizneset dhe qytetarët.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike është ndër faktorët që do të ndikojë në të bërit biznes dhe në cilësinë e jetës së qytetarit. Qeveria duhet të reflektojë që të jetë në përkrahje të bizneseve dhe qytetarëve, sepse nëse vazhdohet me këtë trend do të ngulfatet çdo ditë e më shumë biznesi, por, njëherit do të bie cilësia e jetës së qytetarit dhe do të reflektojë në pakënaqësi”, thotë Kadrijaj.

Derisa të shqetësuar me këtë gjendje shprehen qytetarët. Qytetari, Selmon Bytyqi kundërshton rritjen e çmimit të energjisë dhe thotë se kjo do të ketë pasoja katastrofike për qytetarët, pasi shumë prej tyre nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë shtrenjtim.

“Çfarë të shtrenjtimi, a janë normal këta, qysh të shtrenjtojnë, duhet të lirojnë, jo të shtrenjtojnë. Sa janë pagat, pensionet, socialet? Edhe populli nuk është normal që nuk qohet në protesta e të ndalë shtrenjtimin…Diqysh duhet të nxehet njeri, normal se kthehen shporetet, e shumë sene mbrapa po na kthen. Kjo qeveri po na kthen prapa, duhet të lirojë rrymën se populli nuk ka mundësi”, thotë Bytyqi.

Edhe qytetari tjetër, Azem Azemi thotë se çdo shtrenjtim tjetër i rrymës është e “tepërt krahasuar me standardin që jetojmë”.

“Të shtrenjtohet nuk është mirë…Është e tepërt krahasim me standardin tonë”, thotë Azemi.

Nga ZRrE kanë thënë për KosovaPress se ky rregullator ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, për përshtatjet e rregullta tarifore, sipas kërkesave ligjore në fuqi.

“Pas pranimit të këtyre aplikacioneve, ZRRE-ja ka filluar procesin e analizimit të tyre. Ky proces përfshin vlerësimin e detajuar të kërkesave dhe dokumentacionit të dorëzuar nga operatorët, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi. Ju informojmë se ZRRE-ja, pas vlerësimit të detajuar të kërkesave të paraqitura në aplikacionet e operatorëve të licencuar, do të bëjë vlerësimin preliminar të këtyre kërkesave. Ky vlerësim do të publikohet nga ZRRE-ja. Pas publikimit të vlerësimit preliminar, palët e interesit kanë mundësinë të ofrojnë komentet dhe vërejtjet e tyre ndaj këtij vlerësimi”, thonë nga ZRrE.

Sipas ZRrE, ky proces pritet që të përfundojë deri ne fund të muajit mars 2025.

Kujtojmë se nga prilli i vitit 2023, deri më 31 mars 2024 konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovat në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës ishte ngritur në 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi ishte bërë prej 14.45 centësh, ose mbi 100 për qind më shtrenjt krahasuar me vitin 2013.

Ndërkohë më 2 prill 2024, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte marrë vendim për lirim simbolik të çmimit prej 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Ky vendim erdhi si rrjedhojë uljes së çmimit të rrymës për import.

Sipas ZRrE-së, pas këtij vendimi, tarifat për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë, që nënkupton se nga 14.45 centë për kilovat, ata do të paguajnë 13.29 centë për tarifën e ditës, dhe nga 6.81 centë në 6.26 centë për tarifën e natës.

Sipas raportit vjetor të ZRrE-së, më 2023 për kategorinë e konsumatorëve familjar çmimi mesatar i energjisë elektrike është 7.12 centë për kilovat, që është më i lartë për 15.93 për qind se në vitin 2022 kur ka qenë 6.14 centë për kilovat, ndërsa për konsumatorët jo-familjar çmimi mesatar i energjisë është 9.36 centë kilovat që është më i lartë se çmimi mesatar në vitin 2022 kur ka qenë 9.27 centë për kilovat.

Dhjetë vjet më herët, në vitin 2013, çmimi mestar i rrymës për familjar ishte 5.15 centë për kilovat, ndërsa, 7.21 centë për ata jo-familjarë.

Ndërsa, sipas rregullatorit të energjisë, çmimet mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët familjar dhe jo-familjar për dhjetë vitet e fundit, çmimet nuk përfshijnë TVSH-në.

Tarifa e natës, më e lirë, vlen në orarin 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit. /KP/Telegrafi/