LAJMI I FUNDIT:

Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Pasqyra e gjakut është verifikimi më i mirë i gjendjes së organizmit të njeriut. Një ndër bashkimet në gjak që gjithsesi është i rëndësishëm për organizmin e njeriut është bilirubina. Çfarë ndodh kur vlera e bilirubinës ngrihet?

Ngritja e nivelit të bilirubinave në gjak është problem me të cilin ballafaqohet një përqindje jo e vogël e popullatës. Rreth 80% e bilirubinave shfaqen me zbërthimin e hemoglobinës nga eritrocitet (pas 120 ditëve të jetës së eritrociteve në gjak) në sistemin e retikuloendotelit (RWS).


Pjesa e mbetur 20% e krijuar ditore e bilirubinës shkaktohet nga paraardhësi i eritrociteve në palcën kurrizore (ertrocitopoeza joefikase) dhe proteinave të tjera (mioglobina, citokromet, katalizat).

Bilirubina metabolizohet në mëlçi dhe tajit në tëmth. Te disa njerëz niveli mund të jetë pak i ngritur, ndërkaq te të tjerët dukshëm i ngritur, gjë që tregon për disa parregullsi në funksionimin e mëlçisë dhe tëmthit.

Kufijtë në të cilët duhet të gjendet bilirubina direkte dhe bilirubina totale janë:

Bilirubina direkte: 0.0 – 6.6 µmol/L
Bilirubina totale: 0.0 – 21.0µmol/L

Shkaktarët e ngritjes së nivelit të bilirubinave në gjak

Zakonisht bilirubina tajit nëpërmjet tëmblit, ndërkaq vlera e ngritur e bilirubinës në gjak është shenjë që diçka nuk është në rregull me organizmin, transmeton Telegrafi.

Në të vërtetë, konstatimet e tilla mund të jenë tregues që:

▪ keni probleme me punën e mëlçisë
▪ vuani nga pagjumësia kronike dhe jeni të lodhur
▪ keni Sindromën e Gilbertit
▪ keni probleme me fshikëzën e tëmblit

Bilirubina më së shpeshti është e ngritur te “shkatërrimi” i shtuar i eritrociteve gjë që mund të jetë pasojë e anemisë hemolitike, ndërkaq ajo mund të shfaqet me shumë sëmundje – nga ato trashëguese deri te ato autoimune apo ato të cilat janë pasojë e transfuzionit apo të disa ilaçeve.

Shkaktari i rritjes së bilirubinës mund të jetë edhe ndonjë sëmundje e mëlçisë – nga ato trashëguese deri te sëmundjet akute dhe kronike të cilat ndikojnë në funksionimin e mëlçisë.

Po ashtu, bilirubina e rritur mund të jetë pasojë e gjendjeve të ndryshme të sëmundjeve të traktit biliar (cirroza biliare, kolangitisisklerozior, gurët në tëmbël, tumoret e fshikëzës së tëmblit, kanalit të tëmblit, tumorit të pankreasit, fshikëzës etj.).

Mëlçia mund të jetë e sëmurë edhe nëse nuk konsumoni alkool!

Derisa vlera e ulur e bilirubinës nuk bart me vete kurrfarë pasojash, bilirubina e ngritur edhe nëse është shumë pak mbi kufirin normal të vlerave, tregon funksionin e ndryshuar të mëlçisë, andaj do të duhej të jetë alarm për të kërkuar ndihmën e mjekut.

Në përgjithësi, gjendja në të cilën është ngritur bilirubina në gjakun e njeriut quhet hiperbilirubinemi dhe është arsye për t’u brengosur. Hiperbilirubinemia (ngritja e bilirubinës në gjak) mund të jetë kalimtare, si edhe neonatalja, verdhëza fiziologjike (verdhëza e foshnjave të porsalindura).

Mirëpo, vlera e ngritur e bilirubinës në gjak mund të jetë e përhershme, ndërkaq atë e shkaktojnë sëmundjet kronike të mëlçisë siç janë hepatiti alkoolik, hepatiti C, hepatiti autoimun.

Si mund të ulet niveli i bilirubinës në gjak?

Nga konsumimi duhet të eliminohen yndyrat e ngopura dhe alkooli, ndërkaq të merren artikujt ushqimorë të cilët përmirësojnë regjenerimin e mëlçisë siç janë hirra, djathi i ri (taze), por edhe perimet e pasura me bakër dhe hekur.

Hani artikuj ushqimorë sa më të ushqyeshëm

Përpiquni që në ushqim të fusni sa më shumë ushqim të pasur me nutrienë si p.sh. mishin e peshkut, bishtajoret, mishin e shpezëve, pemët, drithërat e pabluara, vajin e ullirit dhe produktet e qumështit me pak yndyrë.

Shtoni më shumë fibra në ushqim.

Hulumtimet kanë treguar që niveli i ngritur i bilirubinës në gjak te personat e rritur lehtë mund të ulet nëse në ushqimin e përditshëm shtoni nga dy filxhanë e gjysmë perime dhe dy filxhanë pemë gjatë ditës.

Zgjidhni pemë dhe perime të kuqe

Pemët dhe perimet e kuqe janë natyrshëm të pasura me likopen, antioksidantë që janë të mira për mëlçinë dhe sa më shumë që hani pemë dhe perime të këtilla, aq më shumë ulni nivelin e bilirubinës.

Domatja e zier, në formë lëngu apo paste, ka nivelin më të lartë të likopenit, madje edhe deri në 6.000 mikrogramë për porcion. Artikujt e tjerë ushqimorë të pasur me likopen janë specat e kuq, shalqiri, guava, grejpi dhe papaja.

Kufizoni konsumimin e ushqimit të pashëndetshëm dhe të shpejtë

Shmangni ushqimin siç janë për shembull ushqimi i shpejtë, ushqimi i fërguar shumë, simitet, biskotat, lëngjet e gazuara dhe ato me sheqerë; ëmbëlsirat.

Veç kësaj, përpiquni të kufizoni edhe marrjen e kripës dhe të kufizoni konsumimin e alkoolit në një pije në ditë (për femrat), përkatësisht dy pije (për meshkujt).

Hani elb

Elbi mund të ndihmojë mjaft në uljen e nivelit të ngritur të bilirubinës te njerëzit e rritur dhe ndihmon në eliminimin e toksinave nga organizmi. Për ujin e elbit nevojitet që një filxhan elb të zihet në tri litra ujë. Zieni këtë elb në këtë sasi uji rreth tri orë. Mund të shtoni edhe lëng limoni dhe pak sheqer dhe kripë nëse dëshironi të përmirësoni shijen.

Mënyra edhe më e lehtë që në ushqim që të qitni ujin e elbit është që të blini pluhur të elbit të fërguar dhe të përzieni një lugë të vogël të këtij pluhuri dhe një luge të vogël mjaltë në një filxhan ujë. Pini këtë pije dy herë në ditë.

Qitni në gjellë shafran

Shafrani (kurkuma) ndihmon mjaft në detoksifikimin e mëlçisë dhe ndihmon në eliminimin e bilirubinës nga organizmi. Për të qitur edhe më lehtë në ushqimin tuaj, hidhni shafran pluhur një të katërtën e lugës së vogël të kafes në ujë të vakët. Pini këtë tretje nga tri herë në javë.

Përveç se ndihmon spastrimin e mëlçisë, kjo erëz ndihmon edhe në rikuperimin e dëmtimeve të saj. Stimulon prodhimin e vrerit, aktivizon enzimat e mëlçisë dhe përmirëson funksionimin e tëmthit, si dhe largon toksinat nga trupi

Provoni xhenxhefilin

Nëse shtoni xhenxhefil në ushqimin tuaj, do të ndihmoni mjaft në funksionimin e drejtë dhe efikas mëlçisë suaj dhe në këtë mënyrë do të ulni nivelin e bilirubinës në gjak. Mund të bëni lëng nga xhenxhefili duke e bluar në rende dhe duke e kulluar lëngën e tij.

Qitni në lëng xhenxhefili një lugë të vogël kafeje lëng nga limeta, një lugë mjaltë dhe një lugë të vogël kafeje lëng mente. Pini këtë përzierje nga katër herë në ditë 14 ditë pa ndërprerë.

Hani rrikë

Rrikat janë edhe një kundërhelm natyral. Ndihmojnë në uljen e nivelit të rritur të bilirubinës në gjak te personat e rritur dhe përmirësojnë funksionimin e mëlçisë. Mund të shtoni rrikë në ushqimin tuaj duke i ngrënë të paziera apo t’i shtoni në gjellë apo sallata.

Gjithashtu mund të bëni edhe lëng nga fletët e freskëta të rrikave dhe të pini nga dy gota të këtij lëngu dy herë në ditë më së paku dy javë në mënyrë që të shëroheni tërësisht. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori