Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit E.J., i cili gjendet në ndalim 48-orësh, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas prokurorisë, E.J. dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar – si ndërmjetësues i licencuar – ka tejkaluar kompetencat duke përpiluar dokumente dhe marrëveshje fiktive ndërmjetësimi, me të cilat ka përfituar për vete ose për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm material të konsiderueshëm.


Prokuroria bën të ditur se kërkesa për paraburgim vjen pas një hetimi disa mujor të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, lidhur me rastin e njohur si “Pronat në Prizren”.

Sipas njoftimit, hetimi ka zbuluar dyshime se janë përdorur dokumente dhe procedura fiktive për të ndërmjetësuar pronat kadastrale të një personi të ndjerë, i cili kishte vdekur disa dekada më parë. Me këto veprime, sipas prokurorisë, janë ndryshuar pronësitë e 18 parcelave tokësore në fshatin Lokvicë të Komunës së Prizrenit, me vlerë rreth 1 milion euro, duke shkaktuar dëm material për pronarët ligjorë.

Në të njëjtin rast, prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit V.Z., i cili ndodhet në arrati, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”. Sipas dyshimeve, V.Z. në koordinim me E.J. ka lidhur marrëveshje ndërmjetësimi dhe ka bartur 18 ngastra kadastrale në emër të tij.

Po ashtu, hetimet po vazhdojnë edhe ndaj një personi tjetër të dyshuar me inicialet A.G., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria njofton se në kuadër të veprimeve hetimore janë sekuestruar para në shumë prej 14 mijë e 600 euro, telefona dhe dokumente relevante, ndërsa është lëshuar edhe urdhër për ngrirjen e përkohshme të 18 ngastrave të paluajtshmërive, me qëllim të ruajtjes së gjendjes së pronave deri në përfundim të procedurës.

Hetimet, sipas prokurorisë, po vazhdojnë për identifikimin e të gjithë të përfshirëve dhe mbledhjen e provave të mëtejshme. /Telegrafi/