LAJMI I FUNDIT:

Ngjyra e tradhtisë

Ngjyra e tradhtisë
“Aksidenti i veturës së argjendtë (tragjedia e dyfishtë)”

Ngjyra e argjendtë ka pasqyruar veprimet dinake të Judës dhe mburojën e shkëlqyer që tani është ndryshkur. Kelly Grovier e analizon historinë komplekse të një nuance që mund të verbojë me shkëlqim dhe të nxihet të njëjtën kohë, transmeton Telegrafi.

E argjendta është ngjyra më tinëzake. Nuk e din nëse vjen ose nëse po shkon. Ne japim lugë, gota dhe byzylykë argjendi në fillim të jetës, për të shënuar ardhjen e të porsalindurit në këtë botë, ndërsa të njëjtën kohë, në heshtje, druhemi nga thinjat e flokëve. E argjendta mund të jetë largpamëse dhe futuristike, në kuptimin hapësirë-moshës, por mbetet gjithmonë e trisht në vëzhgimin nostalgjik të së kaluarës. E argjendta nuk është kurrë tash, por gjithmonë dje dhe nesër.


E argjendta është aq bishtnuese sa evokuese. Përgjatë kulturave, kontinenteve dhe shekujve të ndryshëm, ngjyra ka shërbyer si kod për një realitet sekret që vetëm imagjinata mund ta përshkruajë. Okulte, si poeti William Butler Yeats i cili këndoi i yjeve, si “vallëzimi i sandaleve të argjendit në det”. Kjo ngjyrë është melodia e shpirtit të pagjumë.

“Natyra e vdekur me ibrikun e argjendit”

Që nga antikiteti, artistët janë marrë me argjendin dhe misteret e saj metalike. Faqoret e argjendit, kavanozat dhe enët, të izoluara mes grumbujve të frutave dhe luleve, shkëlqejnë si anijet e fundosura nga një milion morte medituese të natyrës, duke simbolizuar qenien tonë të bllokuar në një botë të çuditshme dhe të huaj. Që nga vepra “Natyra e vdekur me ibrikun e argjendit” (1655-60) e artistiT holandez të shekullit të XVII, Willem Kalf, e deri te bukuria e instalacionit modern të Cornelia Parkerit, “Tridhjetë pjesët prej argjendit” (1988-1989), kjo ishte ngjyrë e domosdoshme për valët enigmatike të historisë së artit.

Duke e ditur se do të jetë gjithmonë e dyta në raport me arin, në garat e shkurta të kësaj bote, e argjendta si ngjyrë ka zhvilluar një kompleks psikologjik. Ndryshe nga fletat e arit që mbesin të vërteta gjatë kohës, e argjendta ka prirje të kthehet tek ju. Mburoja e ftohtë dhe kërcëlluese që dikur shkëlqente te panelet e piktorit fiorentinas dhe TE shfaqja e tij e “Betejës së San Romanos” (përplasja e vitit 1432 mes kalorësisë fiorentinase dhe sieneze), me shekuj ishte topitur nga oksidimi.

“Beteja e San Romanos” (1438-40)

Helmetave dhe dorezave të argjendit, mbrojtëseve të kofshëve dhe nyjave, ngadalë u është hequr shkëlqimi. Një skenë që dikur dukej e mprehtë, futuriste në shkëlqim, tash është zhytur në nxirje të historisë. Tradhtari argjend i shiti ushtarët e vet.

Më 1628, një artist aspirues holandez me emrin e Rembrandt Van Rijn, ende në të njëzetat e hershme të tij, tha se argjendi është i besueshëm dhe se mund të jetë aq i mirë sa ari në vlerësimin e reputacionit të tij. Ia doli me dramën e jashtëzakonshme fetare, “Juda i penduar, duke kthyer të tridhjetë siklat prej argjendi” (1629). Sytë tanë përpiqen të numërojnë monedhat dhe ta masim ndryshimin e zemrës të gravuar në fytyrën e apostullit që e kishte tradhtuar Krishtin për një grusht monedhash të ftohta.

“Juda i penduar, duke kthyer të tridhjetë siklat prej argjendi”

Me hije dhe shkëlqim, kjo pikturë ishte atu për artistin, në qytetin e tij Leiden, për të impresionuar të pasurit që do të ishin të gatshëm që me paratë e tyre të ftohta të shpërblejnë pikturat e Rembrandtit të ri. Ia doli. Konstelacioni i monedhave të argjendit ka tërhequr vëmendjen e poetit dhe kompozitorit të Epokës së Artë, Constantijn Huygens, i cili e cilësoi Rembrandtin si një gjeni, talenti i të cilit ka tejkaluar madje artistët e antikitetit. Piktura, e konsideruar shpesh si kryevepra e parë e TIJ, kapi syrin e princit. Kjo ishte blerja e parë mbretërore që ndihmoi në rrugëtimin e këtij piktori.

“Portreti i Mbretit Filipi i IV-të i Spanjës në ngjyrat kafe dhe argjend” (1631-32)

Diku tjetër në Evropën e shekullit XVII, argjendi ndihmoi në krijimin e mitit për një mjeshtër tjetër. Në Madrid, portreti i patronit të Diego Velazquezit, Fili i IV-të i Spanjës, i quajtur “Fili i argjendtë”, është një rrjetë magnetike e stolive metalike që shkëlqejnë aurën e integritetit dhe të mirësisë së Mbretit. Piktura e tij është shkëlqim i brendshëm e jo ndriçim i prishshëm tokësor. Portret i Velasquezit i vajzës tërheqëse të Filipit, “Infanta Margarita në të bardhë dhe fustani i argjendtë” (1656), është dëshmi tjetër e aftësisë së tij për të shndërruar në ngrohtësi dhe dashuri një ngjyrë të ftohtë.

Dhe kështu, historia e argjendit shkon nga epoka në epokë, brez pas brezi – një ngjyrë e aftë për të bërë jehonë, përtej ftohtësisë në një shkëlqim më të thellë. James Abbott McNeill Whistler në pikturën e tij “Nokturnë: E kaltra dhe argjendta – Chelsea” (1871), mbështetet në fuqinë hipnotike të argjendit.

“Nokturnë: E kaltra dhe argjendta – Chelsea”

Ngjyra nuk ka humbur shkëlqimin e saj në artin modern. Pop artisti Andy Warhol reflektoi mprehtësinë e ngjyrës, kur këmbënguli se vitet 1960 ishin “kohë e duhur për argjend”. “Argjendi është e ardhmja,” tha ai. “Astronautët mbajnë kostume argjendi. Argjendi ishte edhe e kaluara – në ekranin e argjendtë.”

“Aksidenti i veturës së argjendtë (tragjedia e dyfishtë)”

Në botën e pazakontë e të Warholit, çdo gjë që duket e vlefshme për t’u menduar, lustrohej me shkëlqim të argjendtë. Nga vepra “Tetë Elvisët” (1963) e deri te “Aksidenti i veturës së argjendtë (tragjedia e dyfishtë)” e krijuar të njëjtin vit, Warholi e shihte të argjendtën si ngjyrë të ekzistencës sonë të pashpjegueshme. /Telegrafi/