LAJMI I FUNDIT:

Ngadalësohet tregtia në Eurozonë

Ngadalësohet tregtia në Eurozonë

Suficiti tregtar i Eurozonës për mallrat e tregtuara me pjesën tjetër të botës, është tkurrur në muajin maj, ndërkohë që eksportet ranë dhe importet u rritën. Rezultati i muajit Maj nuk ka përfshirë vendosjen e tarifave ndaj çelikut dhe aluminit europian nga Shtetet e Bashkuara.

Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, deklaroi se blloku i valutës së përbashkët kishte një suficit tregtar prej 16.5 miliardë euro në maj, krahasuar me 19.3 miliardë në të njëjtën periudhë një vit më parë. Rënia e suficitit erdhi prej tkurrjes së eksporteve me 0.8%, ndërkohë që importet treguan rritje me 0.7%.

Javën e kaluar, Komisioni Europian uli projeksionet për ekonominë e Eurozonës në vitin 2018, duke përmendur tensionet tregtare si arsyen kryesore për ngadalësimin. Të dhënat e përshtatura ndaj efekteve sezonalë treguan një rënie të suficitit në 16.9 miliardë euro nga 18 miliardë në prill. Bilanci tregtar për të gjithë Bashkimin Europian, mbeti thuajse i pandryshuar në Maj.

Unioni ka rritur tregtinë neto me Shtetet e Bashkuara, që është partneri kryesor tregtar, në 54.8 miliardë euro në periudhën janar-maj 2018, krahasuar me 48.1 miliardë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pesë muajt e parë të vitit, përpara se Shtetet e Bashkuara të vendosin më 1 qershor tarifa në importet e çelikut dhe aluminit, Bashkimi Europian ka rritur eksportet totale në Amerikë me 2.1% dhe ka ulur importet me 3.1%. /Telegrafi/