LAJMI I FUNDIT:

Ngadalësohet ndjeshëm krijimi i vendeve të reja të punës në SHBA

Ngadalësohet ndjeshëm krijimi i vendeve të reja të punës në SHBA

Krijimi i vendeve të reja të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ngadalësua më shumë se sa pritej në muajin gusht.

Sipas raportit të Automatic Data Processing (ADP), punëdhënësit privatë shtuan 177 mijë vende pune në gusht, shumë më poshtë totalit të rishikuar prej 371 mijë të shtuara në korrik.


Ekonomistët e anketuar nga Dow Jones prisnin 200 mijë vende të reja punë gjatë muajit të fundit.

ADP gjithashtu raportoi se rritja e pagave u ngadalësua për punëtorët që ndryshuan punë dhe ata që qëndruan në pozicionet e tyre aktuale.

“Shifrat e këtij muaji janë në përputhje me ritmin e krijimit të vendeve të punës përpara pandemisë. Pas dy vitesh fitimesh të jashtëzakonshme të lidhura me rimëkëmbjen, ne po shkojmë drejt rritjes më të qëndrueshme të pagave dhe punësimit ndërsa efektet ekonomike të pandemisë zvogëlohen”, tha Nela Richardson, kryeekonomiste në ADP.

Raporti më i dobët se sa pritej vjen pasi investitorët dhe ekonomistët janë të ndarë nëse inflacioni në Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojë të jetë në 2 për qind pa një ngadalësim të ndjeshëm të ekonomisë.

Fuqia e tregut të punës ka qenë një arsye kryesore që ekonomia është rritur më shpejt nga sa prisnin shumë në 2023.

Rezerva Federale rriti normat në nivelin më të lartë në 22 vjet në korrik dhe kryetari i saj Jerome Powell sinjalizoi javën e kaluar se banka qendrore ishte e përgatitur ta rriste më tej këtë vit. /Telegrafi/