Që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt, vendi ka mbetur pa institucione të reja të formuara.

Vonesat nisën me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe pas disa muajsh zvarritjeje, subjekti fitues i zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), arriti të zgjedhë Dimal Basha si kryetar të Kuvendit. Megjithatë, Kuvendi nuk u konstitua plotësisht, pasi pengesë u bë zgjedhja e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.


Votimi i ndarë për kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komunitetet pakicë çoi në ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila më 5 shtator vendosi masë të përkohshme.

Kjo masë ua ndalon deputetëve që të ndërmarrin veprime apo të zhvillojnë ndonjë procedurë për formimin e qeverisë së re, për shkak të dyshimeve për shkelje të Kushtetutës.

Afati i Gjykatës Kushtetuese përfundon sot

Nga partia fituese e zgjedhjeve ende nuk ka pasur ndonjë deklarim se çfarë presin nga vendimi i radhës nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa nga, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se janë në pritje të vendimit.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, tha për Telegrafin se nxjerra e vendimit nga Kushtetuesja është cështje orësh, prandaj edhe pret të komentojë pastaj.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Nait Hasani deklaroi për Telegrafin se do “të respektojë çfarë do vendimi që vjen nga Gjykata Kushtetuese”.

Deputetja Time Kadrijaj nga radhët e AAK-së, në një deklaratë për Telegrafin, pohoi se janë duke u ballafaquar më bllokadën e cila po shkaktohet qëllimisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne po presim një vendim, besoj të jetë një vendim i qartë, pasi që rregullat kanë qenë të qarta saktë, pasi gjithmonë është votuar në pako për nënkryetarët dhe asnjëherë nuk ka qenë temë çështja e zgjedhjes së nënkryetarit. Ne po ballafaqohemi me bllokadën që është bërë me konstituimin e Kuvendit me pozitën e nënkryetarëve, edhe ne këtë rast ka qenë praktika që gjithmonë votohet në pako për nënkryetarët që janë nga shumica, por edhe nga pakicat”, u shpreh ajo.

Mes tjerash, ajo shtoi se “Kjo ndarja, mosvotimi është një hap tjetër dhe pozicion që mos të konstituohet Kuvendi”.

Kadrijaj po ashtu tha se e gjithë kjo po ndodhë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vendos interest personale para atyre shtetërore.

“Të shohim se cili do te jetë verdikti i Gjykatës Kushtetuese. Unë besoj që të gjitha këto veprime nga Albin Kurti po bëhen për shkak se jemi në fushatë zgjedhore, sepse ai gjithmonë kur ka zgjedhje e ka primare marrjen e votave dhe jo shtetin. Gjithmonë interest personale dhe partiake i qet para atyre shtetërore”, potencoi ajo.

Për bllokadën në Kuvend është deklaruar edhe njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi.

Në një deklaratë për Telegrafin, Arifi tha se LVV po tregon paaftësi për menaxhimin e situatës.

“E para është paaftësia totale e subjekteve politike, gjegjësisht e LVV-së, ka paaftësi totale të menaxhimit të situatës. Dhe normalisht që fryma kushtetuese e kërkon njëfarë kompromisi për pakicat, sepse ato nuk i kanë votat, rrjedhimisht i bie që ato të shkojnë në pako. Është pra një farë logjike e gjithë kësaj çështje, dhe në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese do të merr vendimin në këtë frymë. Mirëpo nuk është çështje se çfarë nxjerrë Gjykata, problemi është politik, dhe po manipulohet me çështje, të cilat po vërehen pasojat që do të na vijnë”, theksoi ai.

Arifi po ashtu deklaroi se “Në një farë forme, Gjykata Kushtetuese mund ta rikthejë në zero pikën numër 4, por edhe mund ta anulojë komplet parlamentin, pasi që dy here po e shkelin afatin kushtetues”.

Analisti politik theksoi se “Edhe zgjedhja e kryetarit është pikëquditëse e madhe, por sidoqoftë unë mendoj që është paaftësia e partisë se parë për me formu Kuvendin dhe Qeverinë po tregohet edhe tash”.

“Qëllimi po shihet, po ta kishte pasur seriozitet dhe plane zhvillimore, këta do ta kishin bërë qeverinë në shkurt, ku është logjika me humb një vit? Kjo e kalon edhe absurditetin dhe është e pabesueshme”.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur në shkurt, ku LVV doli partia e parë, PDK e dyta dhe LDK e treta. /Telegrafi/