Në një botë ku ritmi i muzikës ndryshon çdo ditë dhe zërat e rinj vërshojnë skenën shqiptare, Petrit Sefaj mbetet një nga figurat më të qëndrueshme dhe të kërkuara në prapaskenë. Me një stil të veçantë dhe një dorë që di të përkthejë ndjenjat në vargje, ai është një nga autorët më produktivë të estradës.

Ndonëse shpeshherë më shumë dëgjojmë këngët sesa njohim krijuesit e tyre, Sefaj ka zgjedhur që këtë herë të flasë – për rrugëtimin e tij, për pasionin e hershëm për poezinë, për muzën që nuk mungon kurrë dhe për punën pa ndalesë që e mban gjithmonë në studio.


“Si zakonisht, jemi në studio përditë”, thotë ai në një intervistë për Telegrafin.

“Që të jemi në studion OnSet Muzik dhe jena tubu instrumentala, tekste, vija melodike për këngë. Edhe për estradën, po edhe për vete, kam këngë që jam tu i tubu dhe jemi tu punu për çdo ditë”.

Rep-artisti dhe tekstshkruesi nga Kosova tregon se fillimisht e kishte nisur vetëm për vete – duke shkruar hip-hop – por gjithçka ndryshoi në mënyrë spontane.

“Faktikisht e nisa me ide me bë hip-hop për vete, po shumë shpejt ndodhi që shumë këngëtarë erdhën në studio, dëgjuan ndonjë pjesë prej meje dhe kërkuan që t’u shkruaj diçka. Kështu filloi gjithçka, pa plan”.

Sefaj ka bashkëpunuar me shumë emra të njohur të muzikës shqiptare, si: Besa Kokëdhima, Soni Malaj, Jon Gjerka, Arta Bajrami, Labinot Tahiri, Albina dhe të tjerë. “Ka plot artistë që ndoshta për momentin nuk janë shumë ‘famous’, por që kanë projekte shumë të mira. Edhe për ta kam shkruar me qejf”, shprehet ai.

Ai rrëfen se përveç në gjuhën shqipe, ka eksperimentuar edhe me këngë në anglisht.

“Kur bën hip-hop është pak më vështirë, se ka më shumë tekst dhe kërkon më shumë punë. Në zhanret tjera, që kanë këngë më të shkurtra, është më e lehtë. Edhe muzika popullore dikur më dukej sfidë, po tash nuk e kam problem – e kam dëgjuar gjithmonë shumë lloj-lloj zhanrash”.

Një moment i rëndësishëm në karrierën e tij ishte përfshirja si autor në këngën përfaqësuese të Shqipërisë në Eurovision 2024, "Zemrën n'dorë" kënduar nga Besa Kokëdhima.

“Nuk ishte e planifikuar për Eurovision. Thjesht e kam shkruar këngën pa pasur atë në mendje, por ndodhi që u përzgjodh. Jam shumë krenar për këtë dhe për pjesëmarrjen e Besës – është një këngëtare shumë e talentuar”.

Për Petritin, rrugëtimi i tij si tekstshkrues ka rrënjë të hershme. “Ia nisa si fëmijë me poezi. Në shkollë më kanë botuar ndonjë poezi në gazetën ‘Pioneri’, dhe ajo ishte ndjenja e parë kur pashë emrin tim aty. Më vonë kalova në hip-hop, që është zhanri që më fle më shumë për zemër”.

Ndër burimet e tij të frymëzimit, përmend gjithçka që e rrethon: “Inspirimi mundet me ardhë prej çdo gjëje – ndonjë moment, ndonjë fjali, ndonjë ndjenjë, ndonjë udhëtim. Imagjinata është ajo që ta jep shtytjen me shkru.”

Në fund, ai ka një mesazh për të gjithë ata që ndihen të thirrur për të shkruar: “Unë mendoj që kushdo që ka talent dhe dhunti për me shkru, nuk duhet me u ndal. Vazhdo me bo atë që e don, thuaje atë që e ndien, dhe provo – mos u ndal kurrë. Vetëm përmes punës dhe përkushtimit, vjen suksesi”. /Telegrafi/