LAJMI I FUNDIT:

Nga sot zgjatet orari i gastronomisë dhe sallave të dasmave

Nga sot zgjatet orari i gastronomisë dhe sallave të dasmave

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës njofton se duke filluar nga dita e mërkurë do të zgjatet orari i organizimeve të dasmave, ahengjeve të ndryshme e klubeve të natës.

Sipas OHTK-së, këto biznese do të punojnë deri në ora 01:00 pas mesnate.


Po ashtu numri i të ftuarve në hapësirat e mbyllura do të jetë deri në 300 persona.

“Zgjatja e orarit do të bëhet deri në ora 01:00 pas mesnate, si dhe numri i të ftuarve në hapësirat e mbyllura të jetë deri në 300 persona. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi nga dita e mërkurë, 14.07.2021”, thuhej në njoftimin e OHTK-së, përcjell Telegrafi.

Javë më parë, ishte finalizuar manuali që parashikonte mbajtjen e këtyre aktiviteteve sipas kufizimeve kundër pandemisë COVID-19.

“Në takimin e fundit ne jemi pajtuar që e para diku 30 për qind deri 35 për qind të sipërfaqes së sallave të lëshohen, duke ju përshtat manualit ekzistues. Manuali ekzistues tregon që në çdo 10 metër katrorë janë 4 veta, kështu që nëse e marrim ne na del që në çdo 100 metër katror 40 persona. Kështu me 30 për qind e kësaj ne jemi pajtuar që mund të zhvillohen ahengjet edhe në hapësira të mbyllura”, kishte thënë drejtori i OHTK-së, Hysen Sogojeva.

Në fillim të muajit qershor, Qeveria kishte lehtësuar masat kundër COVID-19, duke hequr orën policore dhe duke i lejuar sektorit të gastronomisë të punojë deri në ora 23:00. /Telegrafi/