Nga propaganda ruse te 169 raste dezinformimi – Kreshnik Gashi e Venera Gashi paralajmërojnë për rrezikun që po i minon zgjedhjet

Në episodin e katërt të “Përballje Podcast”, me temën “Dezinformimi në rrjetet sociale”, gazetarët dhe ekspertët e fushës Kreshnik Gashi nga Kallxo.com dhe Venera Gashi nga D4D dhanë një pasqyrë të thellë mbi ndikimin e dezinformatave në jetën politike e shoqërore.
Sipas tyre, rrjetet sociale janë kthyer në një mekanizëm të fuqishëm për manipulim publik, që po ndikon në proceset demokratike dhe në mënyrën si qytetarët marrin informacion.
- YouTube www.youtube.com
Venera Gashi sqaroi se gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore lokale janë identifikuar 169 raste të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, ku kandidatët dhe partitë politike përdornin rrjetet sociale për të sulmuar kundërshtarët e tyre.
“Kemi pasë pesë monitorues që çdo ditë kanë analizuar postimet në Facebook, Instagram e TikTok. Në total, kemi gjetë 169 raste – shumica ishin raste të gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve politike”, theksoi ajo në “Përballje Podcast”.

Venera Gashi vuri në dukje edhe pabarazinë e madhe gjinore në mbulimin mediatik.
“Në Prishtinë, kandidatët burra janë përmend në mbi dy mijë artikuj, ndërsa kandidatja Besa Shahini vetëm në rreth dyqind. Kjo tregon jo vetëm mungesë interesi, por edhe diskriminim të heshtur mediatik.”
Nga ana tjetër, Kreshnik Gashi nga Kallxo.com e lidhi fenomenin e dezinformimit me strategjitë rajonale të ndikimit politik dhe propagandës.
“Rajoni është shumë i cenueshëm për shkak të dezinformatës. Njerëzit që jetojnë në Ballkan bien lehtë pre, sepse nuk kanë mendim kritik dhe nuk kanë burime të sigurta informacioni,” theksoi ai.
Sipas Gashit, propaganda ruse ka ndërtuar një rrjet të gjerë faqeve dhe portaleve që shpërndajnë materiale të përkthyera në shqip, shpesh përmes inteligjencës artificiale.
“Propaganda ruse e ka stërmbush audiencën shqiptare me materiale në gjuhën shqipe. Janë përkthyer mijëra artikuj automatikisht dhe janë ripublikuar në portale lokale. Vetëm javën e kaluar janë identifikuar mbi 1,700 materiale të rreme për zgjedhjet në Kosovë,” tha ai.

Gashi theksoi se dezinformata po krijon pasoja direkte politike dhe sociale.
“Gratë janë viktimat më të lehta të dezinformatës dhe të gjuhës së urrejtjes. Shumë prej tyre nuk guxojnë të hyjnë në gara zgjedhore, sepse nuk mund të mbrohen nga dhuna online.”
Ai shtoi se kjo ka çuar në një realitet ku “diskursi publik dominohet nga burrat, jo vetëm për arsye kulturore, por sepse nuk kemi krijuar një hapësirë të sigurt për gratë në politikë”.
Një tjetër element qw e përmendi Gashi është përzierja e opinionit me faktin në ekosistemin mediatik kosovar.
“Në mediat tona ende nuk po arrijmë të ndajmë çka është mendim dhe çka është fakt. Opinioni po shndërrohet në fakt, dhe kur ai publikohet, inteligjenca artificiale e merr si të mirëqenë,” paralajmëroi ai, duke e cilësuar këtë si një nga format më të rrezikshme të manipulimit modern.
Përveç ndikimit politik, Gashi solli shembuj konkretë të dëmit ekonomik që sjell dezinformata.
“Kemi bërë dokumentar që tregon se si dezinformata ka ndikuar drejtpërdrejt në mosardhjen e investitorëve të huaj. Janë përhapur lajme të rreme se ndërmarrjet kosovare kanë borxhe ndaj Serbisë, dhe kjo ka prishur procesin e privatizimit,” tha ai.
Sipas tij, propaganda synon të godasë tri shtylla thelbësore të shtetit, besimin në demokraci, orientimin euroatlantik dhe ndjenjën e sigurisë publike.

Një tjetër temë që u trajtua ishte edukimi medial.
Gashi nënvizoi se “na duhet me e nisë me pa si nevojë emergjente ndërhyrjen në edukimin medial”, duke kërkuar që “platformat qeveritare të pastrohen nga dezinformatat, sepse edhe në faqet zyrtare të shtetit ka informacione të pasakta”.
Ai shtoi se mungesa e verifikimit institucional ka krijuar “pasaktësi totale dhe mosbesim tek qytetarët”.
Për gjeneratat e reja, Venera Gashi ngriti shqetësimin se ato tashmë informohen përmes “memeve” dhe përmbajtjeve qesharake në rrjete sociale.
“Të rinjtë sot marrin lajmet përmes memeve dhe videove qesharake. Nëse ndodh diçka serioze, ata e mësojnë përmes një fotoje komike – kjo është alarmuese,” tha ajo, duke kërkuar që mendimi kritik të bëhet pjesë e sistemit arsimor.
“Fëmijët duhet të mësojnë që në klasë të parë çfarë është ‘fake news’ dhe si verifikohet një informacion,” shtoi Venera Gashi nga D4D.
Në fund, Kreshnik Gashi theksoi se lufta kundër dezinformatës kërkon guxim dhe bashkëpunim institucional, duke zbuluar edhe përmasat e rrezikut për gazetarët që e trajtojnë këtë temë.
“Kërcënimet më serioze që i kam marrë në karrierë nuk kanë qenë nga krimi i organizuar, por kur kam nisë me u marrë me dezinformata. Kjo është një prej fushave më të rrezikshme sot, sepse pas saj qëndrojnë interesa dhe agjenda të fuqishme,” paralajmëroi ai.
Të dy u pajtuan se dezinformata nuk është vetëm problem i mediave, por i gjithë shoqërisë.
Siç tha Gashi: “Ajo ndikon në mënyrën si funksionon demokracia dhe si qytetarët marrin vendime.”
Ndërsa Venera Gashi përmbylli me një apel: “Njerëzit duhet të mësojnë të mos i besojnë burimit të parë që lexojnë, por të kërkojnë gjithmonë dy ose tri burime më kredibile.”
Ky është episodi i katërt i serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), që synon të nxisë debat për rolin e mediave, sfidat e besueshmërisë dhe ndikimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë./Telegrafi/.



















































