Nga lufta, tek suksesi me Llapin dhe momenti më i paharruar: Tahir Batatina, mysafir në "Arena e Yjeve"
Trajneri i njohur kosovar, Tahir Batatina, është mysafiri i radhës në episodin e sotëm të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit dhe i transmetuar në RTV Dukagjini.
Në një intervistë të ngrohtë dhe rrëfyese, Batatina flet për rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional — nga dashuria për futbollin, pjesëmarrja në radhët e UÇK-së dhe më pas TMK-së, e deri te ngritja e klubit të Llapit në Superligën e Kosovës.
Ai rrëfen sesi mori drejtimin e Llapit në kohën e barazhit dhe si, me përkushtim dhe investim të madh, arriti ta kthejë në një nga klubet më stabël të futbollit kosovar. Batatina tregon se familja e tij ka investuar miliona euro në këtë projekt sportiv, duke mos kursyer asgjë për ta ndërtuar një klub të fuqishëm dhe të qëndrueshëm.
“Nuk dola nga shtëpia për një javë”, thotë ai, duke përshkruar momentin më të vështirë që ka kaluar në aventurën e tij me Llapin. Por krahas sfidave, trajneri zbulon edhe momentet më të bukura, përfshirë gëzimet e mëdha që ka përjetuar me ekipin.
Në bisedë, ai flet edhe për të ardhmen e klubit, duke theksuar potencialin e madh që ka Llapi me talentët e rinj dhe të ardhurat që mund të sigurohen nga ta. Po ashtu, Batatina ndalet edhe te përfaqësuesja shqiptare, duke ndarë mesazhin dhe besimin e tij për sulmuesin Mirlind Daku, para përballjes së shumëpritur Shqipëri – Serbi.
Këtë podcast mund ta ndiqni në TV Dukagjini çdo të shtune nga ora 17:10, ndërsa nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorëve tanë KGM Kosova dhe Golden Eagle Energy Drink. /Telegrafi/






























