Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë ndërtuar mbi lidhje historike, kulturore dhe njerëzore, të cilat sot përkthehen në bashkëpunim politik, ekonomik dhe të sigurisë. Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbetet një partner i rëndësishëm strategjik.

Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Telegrafi.com, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, i cili flet për marrëdhëniet mes dy vendeve, investimet turke në Kosovë, projektet në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e vazhdueshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës.


Ai ndalet edhe te bashkëpunimi kulturor, roli i diasporës dhe nismat e reja rajonale që synojnë stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Ballkanit.

Telegrafi: Ambasador, kanë kaluar dy vite nga ardhja juaj në Kosovë. Si i vlerësoni sot marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë?

Tunç Angili: Mund t’i përkufizoj marrëdhëniet Kosovë–Turqi si marrëdhënie shumë të ngushta, sepse nuk janë vetëm marrëdhënie qeveri me qeveri, por edhe marrëdhënie mes njerëzve. Ajo që dua të them është se kemi një diasporë të madhe të qytetarëve turq me origjinë shqiptare në Turqi. Shumica prej tyre e kanë prejardhjen nga Kosova. Pra, kur ndodh diçka në Kosovë, ata e ndjekin me shumë vëmendje, sepse ende kanë të afërm këtu ose, edhe nëse nuk kanë më, e ndjejnë se rrënjët e tyre janë këtu. Kjo krijon një simpati të madhe të opinionit publik turk ndaj Kosovës. Dhe, si rrjedhojë, mund të them se Kosova ka edhe një lobi të fortë në Turqi. Në Ballkan, shqiptarët gjithmonë i shohim si vëllezër, sepse nga këndvështrimi ynë kemi një histori të përbashkët. Ka shumë shqiptarë që kanë ndikuar shumë në zhvillimin e identitetit modern turk.

Ndoshta më i rëndësishmi është, për shembull, Sami Frashri, i cili edhe sot mësohet në shkollat turke si autor i romanit të parë turk, fjalorit të parë turk dhe fjalorit të parë turqisht–frëngjisht. Varrin e tij e kemi ende në Stamboll. Djali i tij ka themeluar njërin prej klubeve më të mëdha të futbollit në Turqi. Po ashtu, autori i himnit kombëtar turk, Mehmet Akif Ersoy, është me origjinë nga Kosova – babai i tij ka lindur në një fshat afër Pejës. Për këtë arsye mendoj se dy kombet kanë ndikuar shumë njëra-tjetrën, sidomos gjatë procesit të pavarësimit të shqiptarëve. Për Turqinë, për Anadollin, shumica e figurave shqiptare të asaj kohe kanë qenë nga Kosova. Edhe pse Sami Frashëri nuk është nga Kosova, Lidhja e Prizrenit u drejtua nga tre vëllezërit e tij, që ishin figura kyçe. Kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë një vend të veçantë në zemrën dhe mendjen e Turqisë.

Duke ardhur tek e sotmja, ne mendojmë se pavarësia e Kosovës është një gjë e mirë për stabilitetin në Ballkan. Nuk është kërcënim, përkundrazi është diçka pozitive. Prandaj e mbështesim ndërtimin e shtetit të Kosovës. Besojmë se një Kosovë e pavarur dhe sovrane është e mirë jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për stabilitetin e tërë Ballkanit. Në nivel qeveritar, dialogu politik dhe marrëdhëniet vazhdojnë. Kemi shumë vizita të nivelit të lartë, takime edhe në margjina të forumeve ndërkombëtare si Asambleja e Përgjithshme e OKB-së apo Forumi i Diplomacisë në Antalya që e organizojmë çdo vit. Presidenti Erdoğan dhe Presidentja Osmani janë takuar atje. Kryeministri Kurti ka vizituar Turqinë dy herë në dy vitet e fundit. Po ashtu, ministri ynë i jashtëm, Hakan Fidan, vizitoi Kosovën vitin e kaluar. Pra, kemi një nivel të shkëlqyer dialogu politik dhe nuk kemi nevojë për ndërmjetës për të përcjellë mesazhet tona.

Telegrafi: Kosova dhe Turqia bashkëpunojnë ngushtë në ekonomi dhe siguri. Cilat projekte të përbashkëta po realizohen aktualisht?

Tunç Angili: Mendoj se në Kosovë, për shkak se është komb i vjetër, por shtet i ri, siguria shpesh shihet vetëm në dimensionin e mbrojtjes ushtarake. Por siguria është një koncept shumë më i gjerë. Për shembull, sot siguria energjetike është më e rëndësishme për shumë shtete sesa armët. Edhe për Kosovën, siguria energjetike është kritike. Po ashtu, siguria ushqimore është bërë çështje kombëtare në shumë vende, sidomos pas pandemisë COVID, kur të gjitha shtetet mbyllën kufijtë dhe nuk shisnin grurë. Por për shkak të lidhjeve tona të ngushta, Turqia bëri një përjashtim vetëm për Kosovën dhe lejoi eksportin e grurit. Pra, siguria duhet parë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Nëse e sheh vetëm si çështje mbrojtjeje, është sikur të provosh të ecësh me një këmbë ose të boksosh me një dorë të lidhur. Në aspektin e mbrojtjes, siç e tregon vetë fjala, është diçka mbrojtëse. Ne duam që problemet në Ballkan të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë. Për këtë arsye, më 26 korrik, ministri ynë i jashtëm ftoi në Stamboll gjashtë ministrat e jashtëm të Ballkanit – nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi – për një takim joformal të quajtur “Platforma e Paqes së Ballkanit”, pa deklarata zyrtare, vetëm për të biseduar hapur. Pse? Sepse nëse ka destabilitet në Ballkan, kjo prek drejtpërdrejt edhe Turqinë, për shkak të lidhjeve të ngushta historike dhe të diasporës. Plus, Bashkimi Evropian është partneri ynë kryesor tregtar dhe të gjitha lidhjet ekonomike dhe sociale me Evropën kalojnë përmes Ballkanit.

Sa i përket mbrojtjes, nga fillimi ne kemi mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kornizën e NATO-s, njësoj si SHBA, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Kroacia. Po ashtu mbështesim KFOR-in, sepse mendojmë që është vendimtar për stabilitetin e Kosovës dhe të Ballkanit. Nga 3 tetori i këtij viti, komandanti i KFOR-it do të jetë sërish nga Turqia – hera e dytë që e marrim këtë detyrë. Pra, bashkëpunimi ynë në mbrojtje nuk është kundër ndonjë vendi të tretë, por synon stabilitetin rajonal.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: Kur flasim për stabilitetin e rajonit dhe sigurinë, nuk mund të anashkalohet dialogu Kosovë–Serbi. Si e sheh Turqia një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve?

Tunç Angili: Sigurisht që duam normalizim të vërtetë mes Kosovës dhe Serbisë. Mendojmë se dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Roli i KFOR-it është të garantojë siguri, në mënyrë që të ketë hapësirë për dialog. Por mendojmë se duhet edhe një diskutim më i hapur e i sinqertë mes vendimmarrësve politikë në rajon, jo vetëm biseda formale diplomatike. Për këtë e krijuam “Platformën e Paqes së Ballkanit”. Procesi i dialogut i lehtësuar nga BE-ja është në ngërç. Ne mbështesim qasjen e përfaqësuesit të ri të posaçëm të BE-së, z. Sorensen, që të mos synojë menjëherë objektiva të mëdha, por të fillojë me hapa të vegjël, të arritshëm, për të ndërtuar besim. Sepse çdo shtet ka politikën e vet të brendshme, vijat e kuqe dhe prioritetet e sigurisë kombëtare. Nëse synon shumë lart dhe dështon, krijohet zhgënjim. Prandaj, kjo qasje pragmatike është e duhura. Dhe mos harroni, edhe Turqia është vend ballkanik. Pra, nuk jemi një aktor i jashtëm, por pjesë e rajonit. Kemi përgjegjësi të kontribuojmë në paqe dhe stabilitet. Pa pronësi rajonale është e vështirë të arrihen zgjidhje të qëndrueshme.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, foto: Ridvan Slivova

Telegrafi: Përmendëm bashkëpunimin ekonomik. Turqia ka edhe investime në Kosovë. Si e shihni këtë bashkëpunim dhe a mund të bëhet më shumë dhe në cilat fusha?

Tunç Angili: Patjetër që mund të bëhet më shumë. Duhet të shtypim më fort “pedalin e gazit”. Aktualisht kemi mbi 500 milionë euro investime turke në Kosovë, të cilat gjenerojnë mbi 10 mijë vende pune. Tregtia dypalëshe arrin rreth 1 miliard euro. Por duam ta bëjmë më të balancuar përmes projekteve të përbashkëta investive. Vitin e kaluar u mbajt forumi i parë ekonomik Kosovë–Turqi në Stamboll, me pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti dhe ministrit tonë të tregtisë. Duam që edicioni i dytë të mbahet këtë herë në Prishtinë, për të krijuar një kornizë institucionale të bashkëpunimit mes bizneseve. Gjithashtu, vitin e kaluar Turqia dhe Kosova nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik. Një tjetër ide shumë e rëndësishme është krijimi i një zone të lirë ekonomike të përbashkët në Kosovë, ku investitorët turq mund të prodhojnë për eksport në BE, në Ballkan dhe madje edhe në SHBA. Mendoj se ekonomia e Kosovës është e fortë në shërbime, sektori bankar funksionon mirë, përdoret euroja, ka stabilitet financiar. Por prodhimi dhe industria janë ende të ulëta. Aktualisht ekonomia mbahet gjallë kryesisht nga remitancat e diasporës. Por kur të vijë gjenerata e tretë apo e katërt në Zvicër e Gjermani, ato remitanca do të pakësohen – siç ndodhi me Turqinë në vitet ’80. Pra, duhet shfrytëzuar kjo periudhë për të investuar në prodhim, jo vetëm në ndërtim. Dhe Turqia mund të jetë partnere e shkëlqyer, sepse kemi përvojë dhe dije në industri.

Telegrafi: Pra, ju po e shtyni përpara këtë ide?

Tunç Angili: Po, por për këtë na duhet një qeveri funksionale në Kosovë.

Telegrafi: Shpresojmë që qeveria të formohet ose të shkohet në zgjedhje të reja.

Tunç Angili: Si ambasador, jam i lumtur që Kuvendi i Kosovës arriti të zgjedhë kryetarin. Është diçka e mirë për Kosovën dhe për miqtë e saj. /Telegrafi/