Nga një mur i pikturuar në Prishtinë në vitin 2017, arti urban është shndërruar gradualisht në një pjesë të rëndësishme të peizazhit të kryeqytetit. Pas kësaj historie qëndron edhe “Meeting of Styles Kosovo”, festivali që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e edicionit të parë.

Edicioni i dhjetë “Meeting of Styles Kosovo” do të mbahet nga 28 deri më 30 gusht, ndërsa për rrugëtimin e festivalit, ndikimin që ka pasur në hapësirat publike dhe planet për dekadën e ardhshme, ka folur për Telegrafin organizatori i “Meeting of Styles Kosovo”, Agon Xhelili.


Sipas Xhelilit, organizata Q' ARTË kishte nisur aktivitetet që në vitin 2014, me synimin për t’i dhënë Prishtinës një imazh të ri përmes artit dhe kulturës urbane.

“Organizata Q' ARTË në fakt në vitin 2014 veç ka filluar me aktivitete dhe me një mision për me ia pru Prishtinës një imazh të ri, me ia sjellë një vlerë që nuk ka qenë pothuajse inekzistente në fillim të viteve 2010”, ka thënë Xhelili.

Ai ka shpjeguar se “Meeting of Styles” e ka origjinën në Gjermani dhe është zhvilluar si një lëvizje që ka bashkuar artistë të artit urban nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Dizoe style ka filluar në vitin 1997 në Gjermani. Është si një lëvizje liberale, qysh prej rënies së Murit të Berlinit, dhe prej asaj kohe ka filluar të përhapet te shumë të rinj nëpër Evropë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, festivali është bërë i veçantë edhe për shkak të rrjetit ndërkombëtar që ka krijuar ndër vite.

“Meeting of Styles bëhet shumë i veçantë për shkak se qysh atëherë fillon me u bë në shumë shtete të Evropës dhe është prej festivaleve që e krijon një rrjet në rreth 30 shtete të botës, ku organizohet në çdo fundjavë”, ka treguar Xhelili.

Ideja për ta sjellë këtë festival në Kosovë, sipas organizatorit, lindi nga nevoja për t’i dhënë hapësirë artit urban dhe artistëve vendas.

“Na kemi besu që ka nevojë për një festival. Duke marrë parasysh që edhe artistët tanë kanë shumë të mirë të arteve pamore, por edhe Kosova njihet si qytet i grafitit, kështu që i shkon shumë mirë një festivali si ‘Meeting of Styles’”, ka thënë ai.

Fillimet e vështira

Xhelili kujton se edicioni i parë i festivalit në Prishtinë nuk ishte i lehtë. Sipas tij, organizatorët janë përballur me vështirësi institucionale dhe me mungesë mirëkuptimi për shfrytëzimin e hapësirave publike.

“Edicioni i parë për neve si organizatë është gjithmonë i paharrueshëm. Ka qenë viti i parë ku edhe institucionet nuk na kanë trajtu qysh na trajtojnë tash”, ka rrëfyer ai.

Ai ka treguar se për realizimin e aktivitetit në një nga lokacionet e planifikuara ishte dashur edhe një formë proteste.

“U desh me bo një aktivizëm, me blloku rrugën në njëfarë mënyre, për me mbërri deri te ajo pikë ku me u mirëkuptu me Komunën edhe me na u leju. Madje, u desh edhe me u arrestu prej organizatës për bllokim të rrugës”, ka deklaruar Xhelili.

Probleme me lokacionin e këtij viti

Sa i përket edicionit të sivjetmë, organizatorët janë ende në pritje të një përgjigjeje përfundimtare lidhur me lokacionin e festivalit.

“Jemi tu pritë këto ditë me marrë një përgjigje definitive edhe prej ‘Trainkos’-it, që nuk pranon me ndalë trenin dhe na nevojitet me u zhvendos me lokacion”, ka thënë Xhelili.

Sipas tij, ideja fillestare ishte që aktiviteti të zhvillohej deri te rrotullimi pranë varrezave, me synimin për ta transformuar atë hapësirë përmes artit urban, por kjo mund të ndryshojë për shkak të çështjeve të sigurisë dhe bashkëpunimit me institucionet përkatëse.

Arti urban si tregim i qytetit

Për Xhelilin, secila vepër e realizuar gjatë festivalit ka një histori dhe një mesazh të veçantë.

“Secila vepër e ka një histori, një tregim të vetin. Qoftë mundet me qenë e lidhur me qytetin, ose mundet me qenë edhe e lidhur me artistin”, ka thënë ai.

Festivali ka shërbyer gjithashtu si një urë lidhëse mes artistëve kosovarë dhe skenës ndërkombëtare të artit urban.

Xhelili ka theksuar se përpara liberalizimit të vizave, pjesëmarrja e artistëve kosovarë në aktivitete jashtë vendit ka qenë shumë më e kufizuar.

“Para regjimit të vizave, ne shumë pak artistë kemi çu jashtë vendit. Me ardhjen e lëvizjes së lirë, kemi dërgu menjëherë dy vepra, një në Spanjë dhe një në Itali, të bëra prej artistëve të vendit”, ka treguar ai.

Ai ka shtuar se organizata synon që çdo vit të dërgojë të paktën një artist kosovar në festivale të ngjashme në Evropë.

“Q' ARTË tenton çdo vit së paku një me dërgu dikë nëpër vende të Evropës, ku e bën një mural që të mbetet një shenjë prej artistëve tanë edhe nëpër vende tjera”, ka përfunduar Xhelili.

“Meeting of Styles Kosovo” e nisi këtë rrugëtim para një dekade, duke e kthyer artin urban në një nga format përmes të cilave hapësirat publike në Prishtinë marrin jetë dhe identitet të ri.

Se çfarë do të sjellë festivali në dekadën e ardhshme, mbetet për t’u parë. Telegrafi do të vazhdojë ta përcjellë këtë ngjarje dhe zhvillimet rreth edicionit të sivjetmë. /Telegrafi/