Nga Capocannoniere në Serie A, te miliona në Arabin Saudite – Retegui kalon te Al-Qadsiah për pothuajse rekord

Mateo Retegui drejt Arabisë Saudite. Sipas mediave nga Italia, sulmuesi i kombëtares italiane dhe Atalantës ka arritur një marrëveshje personale me klubin Al-Qadsiah, ndërsa edhe dy klubet kanë rënë dakord për transferimin e tij për një shumë që varion mes 65 dhe 70 milionë euro.
Gazetari Michele Criscitiello raportoi se marrëveshja u arrit pasditen e së martës, ndërkohë që Fabrizio Romano dhe Matteo Moretto pretendojnë se shifra e saktë është 65 milionë euro.
Nëse ky transferim zyrtarizohet, Retegui do të bëhet shitja e dytë më e shtrenjtë në historinë e Atalantës, pas Rasmus Højlund, i cili kaloi te Manchester United për 75 milionë euro, plus 10 milionë bonuse në verën e vitit 2023.
Retegui iu bashkua Atalantës vetëm verën e kaluar nga Genoa, për 28 milionë euro, dhe pati një sezon spektakolar me fanellën zikaltër. Ai përfundoi si golashënuesi më i mirë i Serie A, i njohur si "Capocannoniere" për sezonin 2024/25, me 25 gola në 36 paraqitje, duke lënë pas Moise Kean me 19 gola.
Sulmuesi me origjinë nga Argjentina ishte gjithashtu objektiv i Al-Qadsiah më herët gjatë verës, por klubi saudit vendosi të përqendrohet te Retegui. Në sezonin e parë në Serie A, me Genoan, ai shënoi 7 gola në 29 ndeshje, por progresi i tij në Bergamo e ngriti ndjeshëm vlerën e kartonit.
Marrëveshja mes lojtarit dhe Al-Qadsiah përfshin një kontratë me pagë vjetore prej 20 milionë euro, duke e bërë atë një nga futbollistët më të paguar në Ligën Profesionale Saudite.
Atalanta kishte refuzuar më herët një ofertë prej 53 milionë eurosh, por presioni nga pala saudite dhe dëshira e lojtarit bënë që marrëveshja të konkretizohet. /Telegrafi/





































