LAJMI I FUNDIT:

The New York Times (1939): “E premtja e shenjtë në Shqipëri”

The New York Times (1939): “E premtja e shenjtë në Shqipëri”

Në “Bulletin périodique de la presse américaine” gjejmë një shkrim të gazetës prestigjioze, The New York Times, botuar me 8 prill 1939, me titull “E premtja e shenjtë në Shqipëri”. Media e famshme ironizon asokohe në mënyrë mjeshtërore sulmin e padrejtë të Italisë fashiste ndaj Shqipërisë. Për më shumë, do të gjeni në vijim shkrimin e plotë.

“Një tjetër vend i vogël në Evropën Qendrore shlyen krimin e tmerrshëm se është një shtet i vogël. Arsyeja e luftës që ka shpërthyer në Adriatik është krejtësisht e qartë. Shqipëria ka provokuar Italinë. Ajo e ka provokuar atë sepse Italia është e dobët, e vogël dhe pa mbrojtje, viktimë ndaj një egërsire, të cilës blofi iu zbulua prej dikujt të përmasave të saj.


E frenuar nga Franca, e cila ka refuzuar t’i frikësohet, dhe përballë rritjes së vazhdueshme të Britanisë së Madhe për të pasur përgjegjësi në kontinent, Qeveria fashiste e Musolinit ka kërkuar në Shqipëri mundësinë për të provuar se, në fund të fundit, Italia është një vend shumë, shumë i madh, shumë i mrekullueshëm dhe që meriton të respektohet.

Italia i ka dhënë provat duke shkatërruar qytete krejtësisht pa mbrojtje, duke i bombarduar nga deti dhe qielli, duke hedhur eksplozivë mbi kokat e njerëzve për fatin e keq se ishin shqiptarë, duke përhapur vdekjen dhe shkatërrimin mbi fshatrat paqësorë – të gjitha këto nën pretekstin e ‘rivendosjes së rendit’, ‘mbrojtjes së interesave jetike’ dhe afirmimit të drejtave territoriale që datojnë 229 vite para lindjes së Krishtit.

Kohët e fundit, Gjermania ka pasur triumfet e saj. Dhe tani Italia, gjithashtu, ka diçka për të qenë krenare!”