Netanyahu pranoi të hyjë në Bordin e Paqes për Gazën

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se ka pranuar t’i bashkohet Bordit për Paqen të presidentit amerikan, Donald Trump, pas debateve dhe kritika nga kabineti i tij mbi përbërjen e komitetit ekzekutiv të këtij institucioni. Vendimi vjen pas një ftesë direkte nga Trumpi, të cilën Netanyahu e ka pranuar zyrtarisht, sipas deklaratës së bërë nga zyra e tij.
Bordi për Paqen, i udhëhequr nga Trump, ishte konceptuar fillimisht si një grup i vogël liderësh botërorë përgjegjës për mbikëqyrjen e planit të armëpushimit në Rripin e Gazës, por sipas ekspertëve, ambiciet e administratës amerikane duket se janë zgjeruar drejt një initiative më të gjerë diplomatike, që synon të përfshijë vendimmarrës nga rajone të ndryshme të botës për të ndikuar në zgjidhjen e konflikteve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Detaje të tjera dhe përbërja e plotë e Bordit pritet të bëhen të ditura gjatë një njoftimi që Trump do të bëjë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, ku pritet të prezantojë edhe strategjinë dhe planet e këtij institucioni.
Ndërkohë, në përpjekje për të përfshirë edhe vendet e Ballkanit, Kosova dhe Shqipëria janë ftuar të jenë pjesë e Bordit.
Ato do të përfaqësohen nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke treguar përkushtimin e këtyre vendeve ndaj dialogut dhe iniciativave të paqes në rajon.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në diplomacinë ndërkombëtare, duke krijuar mundësi për dialog të drejtpërdrejtë midis liderëve të vendeve me ndikim dhe për promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajone të ndryshme të botës. /Telegrafi/




















































