Netanyahu kurrë nuk do ta pranojë paqen: Ku do të na çojë lufta e tij e përhershme?

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Rregulli i parë dhe i fundit i doktrinës së luftës së përhershme të Benjamin Netanyahut është brutal dhe i drejtpërdrejtë: paqja nuk kryen punë dhe nuk duhet të lejohet të zgjasë. Teksa zjarri vdekjeprurës dhe i pakufizuar bie sërish mbi popullin e pambrojtur të Gazës, i lëshuar me urdhër të kryeministrit luftënxitës të Izraelit, një britmë e dhembshme dëgjohet: A ka marrë përfundimisht fund armëpushimi dymujor me Hamasin? Përgjigja, në këtë pyetje, shkakton dëshpërim: kjo nuk ka shumë rëndësi. Ky armëpushim, që tani po copëtohet në një milion pjesë, ishte vetëm një pauzë e shkurtër dhe mashtruese në një luftë që nuk ndalet kurrë.
Ajo nuk ndalet, sepse Netanyahu mbahet në pushtet nga gjendja e vazhdueshme e emergjencës kombëtare që ai dhe mbështetësit e tij kanë ushqyer dhe zgjatur që nga sulmet terroriste të 7 tetorit 2023. Lufta nuk ndalet, sepse qëllimi madhor i Netanyahut – shkatërrimi i shpresave palestineze për shtetësi – është i destinuar të dështojë. Nuk ndalet, sepse ata që kritikojnë veprimet e qeverisë izraelite, brenda dhe jashtë Izraelit, përballen me përjashtim dhe abuzim, duke u akuzuar se nuk veprojnë me qëllime të mira dhe jo për shkak të shqetësimit për humbjet njerëzore, por për motive antisemite.
Mbi të gjitha, ndoshta, lufta që terroristët ndezën 18 muaj më parë vazhdon dhe kërcënon të zgjerohet edhe më tej, sepse Netanyahu dhe aleatët e tij ultra-nacionalistë hebrenj dhe ultra-fetarë kanë gjetur tek ajo një mjet për të ndjekur qëllimin më të madh të një Izraeli më të gjerë. Ata dhe aleatët e tyre të dhunshëm kolonë e përdorin atë si një justifikim për të zgjeruar konfiskimet e tokave dhe për të frikësuar palestinezët që jetojnë në Bregun e pushtuar Perëndimor. Zonat e reja të Lartësive të Golanit në Siri janë marrë nën kontroll. Rimbushja me kolonë e Gazës është një tjetër objektiv i deklaruar.
Lufta e përhershme mund të vazhdojë vetëm nëse “ana tjetër” vazhdon të luftojë. Forcat e Hamasit janë aq të degraduara saqë duket se nuk janë më në gjendje të luftojnë. Mungesa e një përgjigjeje të menjëhershme të armatosur ndaj sulmeve izraelite, që filluan të hënën në mbrëmje, tregon një dobësi relative. Dhe, megjithatë, Hamasi nuk është mundur. Sa herë që një peng lirohej, luftëtarët e tij bënin një spektakël të madh sfide militante. Për sa kohë që mungon një plan i qartë dhe i pajtueshëm për “ditën pas” – dhe për sa kohë që nuk ka një pushtim të plotë tokësor dhe një okupim të gjatë dhe në shkallë të gjerë – Hamasi do të mbetet në kontroll efektiv në Gazë. Dhe, kështu lufta vazhdon.
Në radhë të parë, Netanyahu nuk e dëshironte armëpushimin dhe vazhdimisht ka kërkuar një problem për të cilin do të mund të fajësonte të tjerët. Ai pranoi të ndalonte sulmet më 19 janar, vetëm nën presionin e Donald Trumpit dhe të të dërguarit të tij, Steve Witkoff. Trumpi, i cili duhej të inaugurohej ditën tjetër, po kërkonte me çdo kusht një fund të konfliktit që paraardhësi i tij, Joe Biden, nuk kishte arritur ta realizonte. Për të mos prishur festën e Trumpit dhe për të fituar favore nga ai, Netanyahu u pajtua, me gishtat e kryqëzuar pas shpine.
Megjithatë, edhe atëherë, me më shumë se 48 mijë palestinezë të vrarë, dhjetëra mijëra të plagosur ose të traumatizuar dhe shumicën e dy milionë banorëve të Gazës të pastrehë, Netanyahu nuk ishte gati të ndalej. Ai e dinte se ministrat e tij të ekstremit të djathtë nuk do ta toleronin paqen për një kohë të gjatë. Njëri prej tyre, Itamar Ben-Gvir, veçse kishte dhënë dorëheqjen në shenjë proteste. Të tjerët po kërcënonin të bënin të njëjtën gjë, duke e vënë në rrezik stabilitetin e qeverisë së tij. Ai e dinte gjithashtu – edhe pse për të kjo ka qenë një çështje dytësore, gjatë gjithë kohës – se shumë pengje izraelite mbeteshin ende në robëri: 59 në numër, të gjallë dhe të vdekur, sipas të dhënave të fundit.
Netanyahu kurrë s’e kishte ndërmend që seriozisht të respektonte fazën e dytë të armëpushimit, e cila duhej të fillonte më 1 mars dhe që kërkonte tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite. Ai bllokoi ndihmën humanitare, ndërpreu furnizimin me ujë dhe energji elektrike, vonoi zbatimin e fazës së dytë dhe pengoi negociatat për ta rikthyer atë në rrugën e duhur. Ai e vazhdoi luftën me mjete të tjera. Dhe, kur këto provokime dështuan, ai insistoi, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit, që Hamasi të lironte njëanshëm më shumë pengje, ndërsa ai, në këmbim, ofronte vetëm lirime të kufizuara të të burgosurve dhe një zgjatje të përkohshme të armëpushimit.
Lufta e përhershme, edhe kur është e pashpallur, është e vështirë për t’u justifikuar dhe Netanyahu, i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe i dënuar gjerësisht në Evropë dhe në botën arabe, ka mbetur me shumë pak mbështetës. Pozita e tij është përkeqësuar kohët e fundit. I akuzuar për një autoritarizëm gjithnjë në rritje, ai është përfshirë në një konflikt në përpjekjen e tij për të shkarkuar shefin e Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Izraelit, Shin Bet, Ronen Bar. Një skandal i ri korrupsioni, që përfshin para nga Katari, po ashtu ndërlidhet me të. Në këtë kontekst, “shpërqendrimi” përmes Gazës mund të duket i përshtatshëm.
“Netanyahu po lufton për të fituar kohë në çdo front të mundshëm – kundër zgjedhjeve të parakohshme, kundër një komisioni shtetëror hetimor [për sulmet e 7 tetorit], kundër një marrëveshjeje që do të kthente 59 pengjet e mbetura, të gjallë dhe të vdekur,” shkroi Amos Harel nga Haaretz. “Kryeministri po vepron si dikush që nuk ka më asgjë për të humbur. Përshkallëzimi i konfliktit, deri në kaos, i shërben atij.”
Me mbi 400 palestinezë të vrarë deri më tani, shumica civilë, dhe me Izraelin që kërcënon me vazhdimin dhe zgjerimin e sulmeve, britmat e zemërimit, tmerrit dhe dëshpërimit nga palestinezët, OKB-ja, organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe qeveritë e huaja kumbojnë si klithma fantazmash mbi rrënojat e shkatërruara të Gazës. Ato janë po aq të njohura sa edhe të kota dhe të shpërfillura.
Një Shtëpi e Bardhë, aspak e penduar, që konfirmon me krenari bashkëpunimin e saj në sulmet izraelite, duket e etur që ato të vazhdojnë. Procesi i armëpushimit të janarit duket i vdekur. Plani absurd i Trumpit për një “Rivierë të Gazës”, tani nuk shihet dhe as dëgjohet askund. I penguar, ai hakmerret në mënyrë indirekte, duke e nxitur Netanyahun. E, megjithatë, do të ishte naive të mos shihnim një lidhje më të gjerë dhe të menduar të Trumpit. Në ditët e fundit, ai ka kërcënuar Iranin, duke kërkuar që Teherani të rifillojë negociatat për kufizimin e programit të tij bërthamor ose të përballet me veprime ushtarake. Në të njëjtën kohë, ai ka ndërmarrë sulme masive ajrore kundër aleatëve të Iranit, hutëve në Jemen.
Në botën e thjeshtëzuar, me shumën zero të Trumpit, gjithçka është pjesë e të njëjtës marrëveshje. “Siç e ka bërë të qartë presidenti Trump, Hamasi, hutët, Irani – të gjithë ata që kërkojnë të terrorizojnë jo vetëm Izraelin, por edhe ShBA-në – do të paguajnë një çmim, dhe ferri do të shpërthejë,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. A është Jemeni një paralajmërim i hershëm? A po lëviz Trumpi për të mbrojtur Izraelin kundër një sulmi iranian – një mundësi që Netanyahu e ka përdorur vazhdimisht për të justifikuar gjendjen e tij të përhershme të luftës? Apo, siç besojnë shumë në Teheran, Trumpi po përgatit terrenin për një sulm të përbashkët Izrael-ShBA në drejtim të kundërt?
Ashtu si disa presidentë të mëparshëm amerikanë, dhe krejtësisht i pandjeshëm ndaj historisë, Trumpi beson se mund ta rindërtojë Lindjen e Mesme pothuajse me një akt vullneti perandorak. Por, ndryshe nga Barack Obama i cili ëndërroi, në Kajro, në vitin 2009, një rilindje demokratike, Trumpi po e rindërton atë përmes diktatit, të mbështetur nga përdorimi ose kërcënimi i forcës. Palestina është vendi i errët ku kompleksi mesianik i Trumpit dhe doktrina e luftës së përhershme e Netanyahut po përplasen. Por, tani, ku do të përplaset kjo luftë më pas? Dhe, kush do t’i ndihmojë ata që nuk mund të ndihmojnë veten? /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Egli-Gjestit: Nuk e ke idenë se sa njerëz jashtë, nga kjo marrëdhënie kanë interpretuar që ne do të martohemi

Vajza transgjinore e Elon Musk 'godet' me deklarata për babanë e saj: Ai është një fëmijë patetik, pse duhet të kem frikë prej tij?

Laert Vasili befason me deklaratën në BBVA, thotë se rrjedh nga i njëjti trung familjar me Slobodan Milosheviqin?

Trump nënshkruan vendimin për shuarjen e Departamentit të Arsimit

Aleanca ushtarake, reagon sërish Vuçiq: Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur "garë armësh" pas memorandumit me Kosovën

Gola, emocione dhe spektakël: Kosova fiton duelin e parë ndaj Islandës në play-off të Ligës së Kombeve

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

'Godet' Xheneta, publikon përgjimet telefonike me Drilonin ku ai bën bisedë intime me të dhe i thotë se nuk ka më interes për Sarën

Reagon Driloni pas publikimit të bisedave telefonike nga Xheneta: Gjesti nuk ia dha dhe e kërkon te unë - ajo ka dëshirë të jetë në vëmendje

Xheneta i kundërpërgjigjet prapë Drilonit: Më ke thirrur në Dubai, i kam të gjitha në telefon - menaxheri yt më ka lutur që t'i fshij videot

Prodhuesit amerikanë të armëve “do të mbahen larg” nga plani i ri masiv i shpenzimeve të mbrojtjes të BE-së

Pas publikimit të përgjimeve telefonike, reagon Xheneta: Jam kërcënuar nga Driloni dhe menaxheri i tij

"Jemi të interesuar ta udhëheqim qeverinë", Haziri: Asnjë bisedë me LVV-në, LDK ka takuar Krasniqin e Haradinajn