Netanyahu: Izraeli do të vazhdojë të godasë Iranin me gjithë fuqinë

“Izraeli do të vazhdojë të godasë Iranin me gjithë fuqinë tonë", ka deklaruar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Netanyahu pretendoi se Izraeli dhe SHBA-të kanë arritur “kontroll pothuajse të plotë” mbi qiellin e Iranit dhe se ka “shumë më shumë objektiva dhe surpriza të përgatitura”.
“Ne do ta destabilizojmë regjimin dhe do të mundësojmë ndryshimin”, tha ai.
Gjithashtu, Netanyahu kërcënoi drejtpërdrejt anëtarët e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, duke thënë: “Ju jeni në shënjestër”.
Kryeministri deklaroi ndër tjera se operacioni ushtarak me SHBA-në do të "krijojë kushtet që do t'i lejojnë popullit iranian të marrë fatin e tij në duart e veta".
Ai u bëri thirrje iranianëve të ngrihen.
“Momenti i së vërtetës po afron. Ne nuk kërkojmë ta ndajmë Iranin, por ta çlirojmë atë nga zgjedha e tiranisë dhe të jetojmë me të në paqe, por në fund të fundit varet nga ju”, vazhdoi Netanyahu.
Në sfondin e sulmeve të intensifikuara izraelite kundër objektivave të Hezbollahut në Liban, ai i bëri thirrje qeverisë libaneze që t'i përmbahet angazhimit të saj sipas marrëveshjes së armëpushimit të nëntorit 2024 dhe të çarmatoset Hezbollahu.
“Mosveprimi në këtë drejtim do të ketë pasoja katastrofike për Libanin. Është koha që ju ta merrni fatin tuaj në duart tuaja. Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët tanë”, përfundoi kryeministri i Izraelit. /Telegrafi/





















































