Netanyahu i përgjigjet ashpër Erdoganit: Diktatori antisemit që kryen gjenocid ndaj kurdëve nuk mund të japë leksione


Pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i drejtoi kritikat më të ashpra Izraelit dhe e krahasoi Benjamin Netanyahu me Adolf Hitler, erdhi edhe një reagim i menjëhershëm dhe jashtëzakonisht i ashpër nga kryeministri izraelit.
Netanyahu nuk kurseu fjalët, duke e quajtur liderin turk diktator dhe duke e akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, si dhe për mbështetje të terrorizmit.
“Diktatori antisemit Erdogan – i cili kryen gjenocid ndaj kurdëve, mbështet organizatën terroriste Hamas, shtyp popullin e tij dhe burgos kundërshtarët politikë – është personi i fundit që mund t’i japë leksione morale Shtetit të Izraelit”, deklaroi Netanyahu, raporton timesofisrael.
Në vijim të reagimit të tij, kryeministri izraelit hodhi poshtë të gjitha akuzat e Erdoganit për gjenocid në Gaza, duke theksuar se veprimet e vendit të tij janë legjitime.
“Shteti i Izraelit dhe IDF-ja (Forcat Mbrojtëse të Izraelit), si ushtria më morale në botë, do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime të fuqishme kundër Iranit dhe aleatëve të tij”, shtoi Netanyahu.
Kjo përplasje e ashpër akuzash shënon një pikë të re të ulët në marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Tel Avivit, të cilat prej muajsh janë në krizë të thellë për shkak të operacioneve ushtarake izraelite në rajon.
Ndërsa Erdogan bën thirrje për krijimin e një “fronti humanitar” për ndalimin e Izraelit, Netanyahu kundërpërgjigjet duke e zhvendosur fokusin te politika e brendshme turke dhe ndikimi rajonal i Iranit. /Telegrafi/




































