LAJMI I FUNDIT:

Nëntor 1975, procesverbali pas dënimit me vdekje të Ballukut, Dumes e Çakos

Nëntor 1975, procesverbali pas dënimit me vdekje të Ballukut, Dumes e Çakos

Në 5 nëntor 1975 zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Gjykata e Lartë sapo kishte dhënë dënimin me vdekje për Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon. Pas dënimit të tre ishin lutur që t’u falej jeta. Për këtë kishin bërë një shkresë drejtuar Presidiumit të Kuvendit.

Teksti i mëposhtëm, botuar nga DITA, është procesverbali i kësaj mbledhjeje, ku Aranit Çela pasi ka dhënë dënimin me vdekje paraqet përpara Presidiumit detajet e procesit.

Procesverbal i mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Datë 5 nëntor 1975.

Në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (kryetar), Rita Marko (nënkryetar) Telo Mezini (sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Hamdi Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Spiro Moisiu dhe Zina Fanja (anëtarë).

Kryetari Haxhi Lleshi (Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor): – Këtë mbledhje e bëjmë për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Ushtarake për të dënuarit me vdekje, grupin tradhtar të përbërë nga Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, të tre të dënuar me vdekje. Të tre kanë bërë lutje për falje jete. Aranit Çela, kryetar i Gjykatës së Lartë do të na shpjegojë se si ka shkuar gjyqi, që Presidiumi të mund të vendosë. E keni fjalën juve shoku Aranit.

Aranit Çela (Kryetar i Gjykatës së Lartë): Unë kam marrë me vete dhe dënimin, por është 40 faqe, një volum i tërë, ta lexoj?

Kryetari: Jo, jo.

Aranit Çela: Gjykata e posaçme përfundimtare e dënoi Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon me vdekje, Rrahman Parllakun me 25 vite burg. Gjykimi u zhvillua gjatë 10 ditëve, që nga 25 tetori deri sot ora 09:00 dhe u zhvillua sipas ligjit. Të gjithë të pandehurit në fjalën e fundit u shprehën se u janë krijuar të gjitha mundësitë, për t’u shprehur për mbrojtjen. Gjykata u desh të shqyrtonte një masë materialesh të shkruara. Gjithsej u shqyrtua një material prej 18 volumesh, mbi 3000 faqe të shkruara me dorë, prova të llojeve të ndryshme, dy kaseta plot. Të gjitha akuzat mbështeteshin në dokumente dhe kjo ide u tregoi të pandehurve në hetuesi e në gjyq, të pranojnë. Nuk kishin nga të lëviznin. Sa mundoheshin të dredhonin, menjëherë u nxirrnim dokumentet…

Vetë mënyra e ndërtimit të procesit gjyqësor dhe aktakuza, e lehtësuan shumë punën e gjykatës. Sepse qe një punë e vështirë. Ishte e pamundur dhe tre muaj gjyq të bëje, nuk ia dilje. Të katër të pandehurit u detyruan të pranojnë fajësinë e tyre të plotë. Ata mundoheshin të dredhonin, por u vihej dokumenti para dhe pastaj thoshin: “Këtë e kam bërë”. Se nuk kishin si të kundërshtonin, ndonëse shtonin se “kjo nuk është bërë me qëllim”…

Rita Marko: Ata çdo gjë me ndërgjegje e kanë bërë.

Aranit Çela: Me ndërgjegje e kanë bërë, por “qëllime nuk kemi pasur”, -thoshin. Por dokumentet ua përplasën të gjitha këto. Në fjalën e fundit që iu dha atyre, të katër të pandehurit pranuan plotësisht se kanë kryer krime shumë të rënda, për të cilat thanë se është i justifikuar çdo lloj dënimi dhe e lanë çështjen në fund në dorë të gjykatës, në dorën e drejtësisë së Partisë. Akuza ndaj të pandehurve u përgatit kryesisht në 5 drejtime kryesore:

1- Lidhur me sabotimin e rolit udhëheqës të Partisë. Kjo qe  kryesore që zuri pjesën më të madhe. Aty ishte materiali më i shumtë dhe shkeljet, domethënë puna armiqësore.

2- Sabotimi në fushën e mbrojtjes së vendit, domethënë në fushën e përgatitjes luftarake, fortifikimin…

3- Sabotimi në fushën e legjislacionit dhe ekonomisë në organizimin shtetëror.

4- Sabotimi në fushën ideologjike.

5- Përvetësimi, vjedhja, shpërdorimi dhe maskarallëqe të tjera që bënin…

Dokumente që tregojnë se tek këta ka pasur predispozicion armiqësor të hershëm… Për Beqir Ballukun, doli qartë dhe ai i pranon të tëra, që predispozicioni i tij armiqësor ka filluar që në vitin 1947. Ai del i implikuar me jugosllavët. U gjetën edhe shkresa të shumta që ta bënin ta pranonte…

Beqir Balluku ka pasur një takim personal me Titon, pa e thirrur Kristo Themelkon. Ka qenë vetëm ky dhe Shefi i Shtabit të Jugosllavisë dhe ata e kanë vënë përpara. Ai thotë që më vunë përpara një situate të paditur, më nxorën harta dhe më thanë që grekët kanë ardhur në kufi, do të sulmohet Shqipëria. Ju thashë të pyes komandën shqiptare. Tito mori telefonin dhe ka lajmëruar shpejt Koçi Xoxen se gjendja është e tillë dhe të lajmërohet ai e pastaj në radhë të dytë dhe Komandanti, domethënë ‘Komandanti’. “Me këtë konditë u binda”, -thotë Beqir Balluku.

Mirë u binde atje me jugosllavët, i themi ne, po pastaj ti erdhe në Shqipëri. Herën e parë na gënjeu. Na tha ka ardhur me aeroplan të nesërmen në Shqipëri, ndërsa në dokument del se nuk ka ardhur… Se Beogradi 2 orë larg është, e jo një ditë. Aty dolën 5 ditë diferencë. Më në fund pranoi se kishte gënjyer dhe tha që kishte ardhur deri këtu pas katër ditësh. “Kur erdha, -thoshte pas katër ditësh, -më mbajti Kristo Themelko letrën dhe i tregova bisedën. Më mbajti ai (Kristo) dhe pastaj shkova”. Mirë atëherë, i thamë ne, pse vajte tek Komandanti i Përgjithshëm dhe i the!? E pyetëm: “Mirë, ç’të tha Komandanti?” Doli bllof dhe e hodhi poshtë gjithë këtë version.

Atëherë ne i themi: “Kështu, të tha komandanti, po pastaj ç’bëre, ku vajte?” U pyet për këtë dhe Feti Smokthina. U pyetën dhe të tjerë, komandantët e regjimenteve në Përmet e në Gjirokastër… Pra qëllimi i tij ishte të lirohej divizioni i 8-të, të vinte në Përmet në krahun e Kolonjës, ndërsa ata jugosllavët të merrnin Korçën. “Po mirë, -i thamë, -po nga Komandanti, ku vajte ti?!”

Petrit Dume deponon se ishte Komandanti që të tha një pjesë nga fjalët e bisedës, që kishte bërë me këta. Këta të tjerët thonë këtu, pranojnë që kanë dhënë urdhër për lëvizje divizioni, regjimentit të Pogradecit për në Përmet dhe forcat e Divizionit të Gjirokastrës për lëvizje, por vetëm një pjesë të forcave se, nuk arriti t’i lëvizte të gjitha.

Rita Marko:  Domethënë në bazë të urdhrit të Titos.

Pilo Peristeri: Dhe thonë që e ka bërë pa qëllim.

Aranit Çela: Prishën edhe makineritë që ishin për këta, se ato duheshin për t’i bërë gjërat afife. Kishin marrë shumë materiale dhe Koço Theodhosi ua kishte dhënë në kundërshtim me qeverinë. Kanë marrë nga rezerva shtetërore tubacione e çfarë nuk kanë bërë për nevojat e tyre, që të bënin stadiume dhe palestra.

Pilo Peristeri: Në këto gjëra ekonomike, ata nuk pyesnin fare.

Aranit Çela: Jo, jo, atje bënin ç’të donin.

Kryetari: Ata thoshin se ushtria ka ligjet e veta.

Pilo Peristeri: Na vodhën dhe një transformator atëherë.

Rita Marko: Ehu sa lëndë druri kanë vjedhur në sharra e gjetkë.

Aranit Çela: Nga dokumentet u provua se kishte një garë se kush të përkthente e të shpërndante më tepër materiale revizioniste. Nga një kontroll që u bë nga qeveria dhe rezultati që morëm në gjyq, del se Drejtoria e Zbulimit kishte shpërndarë 30 mijë copë libra të vendeve kapitaliste, revizioniste. Përveç saj kishte 176 copë libra të shpërndarë, ku 90 për qind e këtyre materialeve i përkisnin burimeve revizioniste sovjetike pas vitit 1960.

Pilo Peristeri: Shqip apo rusisht?

Aranit Çela: Kishte gjithë ato përkthime. Kur i thua kështu, duket si teori, por po të shikosh, janë elementë librash.

Kryetari: Janë harxhuar miliona lekë.

Aranit Çela: Po miliona. Thasë të tërë me libra të përkthyer, rregullore të gjitha vendeve revizioniste sovjetike.

Kryetari: Kryesorja ka qenë se edukohej brezi i ri aty në ushtri me ideologji borgjezo-revizioniste…

Aranit Çela: Beqir Balluku u dërgonte letër reparteve, u thoshte këtyre shefave që të lexonin përkthimet, të lexonin “Psikologjinë e Ushtarit”, libër i përkthyer në shqip. Ai u thoshte se “ishte një libër i shkëlqyeshëm…” Si more t’u mbylltë dhe që të lexoje atë libër! Ishte i poshtër dhe sikur revizionist të mos ishte, prapë ata kanë psikologjinë e tyre. Ishte shtet 200 milion. Ç’punë kemi ne me ta?

Kryetari: Po këta ç’thanë?

Aranit Çela: E kemi bërë, thoshin, se sipas koncepteve tona ka një të vërtetë absolute të dhënë me këto çështje, që është e përbashkët për të gjithë shtetin. Petriti në mes të gjyqit mbronte këtë, që “mendimi im, zoti gjyqtar, në radhë të parë në ushtri, është edukimi ushtarak”.

Po si more mendim ushtarak?! Domethënë në radhë të parë pushka, “lufta bëhet me pushkë”. Po pushkën do ta përdorë njeriu. Një debat i tërë në gjyq me Petrit Dumen. Rreth kësaj teorie, haptas ai thoshte se për të ishte edukimi ushtarak i pari dhe jo koka. Krejt armiqësore. Dalin çështjet e vjedhjeve. Janë vjedhur shumë gjëra.

Veprime të ulëta fare kanë bërë. Çfarë nuk është vjedhur! Vinte nga Qafë Zeza e Kolonjës bakllavaja në Pogradec. Donte kuleçë?! Po çfarë kuleçësh. Kur u demaskua Petriti, vajta unë në Plenumin e Kolonjës. Asistova në atë aktivitet ushtarak që të merrja të dhëna. Dhe vajta unë, e për herë të parë, u kritikua Petriti…

Pilo Peristeri: Po lekë për fëmijët?

Aranit Çela: Jo!

Rito Marko: Merrnin ushqime se luanin me “Partizanin”.

Aranit Çela: Ushqime merrnin sa të donin. Madje u gjet dhe një dokument, që po bënte ky Drejtori i Shtëpisë Qendrore, qen bir qeni, Pilo Lena, që hanin pa lekë fare. Vinin këtu me gjithë familjet dhe hanin e pinin. Nga këto kishte plot. Vetëm Beqirit i dolën gjysmë milion lekë për vjedhje e shpërdorime.

Rito Marko: Ai do të ketë ngrënë më shumë.

Pilo Peristeri: Po këta të tjerët nuk u dënuan?! Apo janë më vonë.

Aranit Çela: Ne e ndaluam procesin se ishte gati për t’u gjykuar, se sa u bë ky gjyq me qëllim që populli mos t’i dëgjonte ato gjëra të vogla, pa gjykuar ato kryesoret. Ai gjyq do të bëhet nga java që vjen. Në përgjithësi kjo ishte.

Kryetari:  Me vdekje ashtu siç ka vendosur gjyqi.

Rita Marko: Jemi plotësisht me Gjykatën e Lartë.

Telo Mezini: Atëherë t’u refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Dakord me vendimin: Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, dënohen me vdekje(pushkatim) sipas vendimit të Gjykatës Speciale Ushtarake. T’u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Mbyllet mbledhja.

Tiranë 05.11.1975.

Sekretari i Presidiumit

Telo Mezini

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori