LAJMI I FUNDIT:

Nënshkruhet marrëveshja për financimin e infrastrukturës hekurudhore

Nënshkruhet marrëveshja për financimin e infrastrukturës hekurudhore

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore për vitet 2023-2027.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri Aliu, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryeshefi i INFRAKOS-it, Naser Krasniqi.


“Kjo marrëveshje parasheh zotimin tonë për investimin e mëtutjeshëm në Infrastrukturën Hekurudhore të Kosovës, përfshirë rritjen e sigurisë së shërbimit të transportit hekurudhorë, avancimin dhe modernizimin, sigurimin e stabilitetit financiar të ndërmarrjes, si dhe ruajtjen e kuadrove profesionale”, thuhet në njoftim.

Kjo marrëveshje ka për qëllim të rrisë efikasitetin e shërbimeve të transportit hekurudhor, duke siguruar një sistem më të qëndrueshëm dhe të besueshëm të transportit për qytetarët dhe ndërmarrjet.

Investimet kapitale dhe përpjekjet për modernizimin do të sjellin përmirësime të dukshme në infrastrukturën hekurudhore, duke e bërë atë më konkurrente dhe duke ofruar alternativa më të gjelbërta për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve./Telegrafi/