Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se nënshkrimi i Presidentes Vjosa Osmani në kuadër të Forumit të Davosit për nismën e “Bordit të Paqes” përbën një moment të rëndësishëm politik dhe strategjik për Republikën e Kosovës.

Sipas Fetoshit, në një sistem ndërkombëtar të paralizuar nga apetitet hegjemoniste të Rusisë dhe Kinës, iniciativa e presidentit amerikan Donald Trump paraqet një alternativë të domosdoshme për adresimin e konflikteve aktuale globale. Ai thekson se Kosova, si “viktima e parë” e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka legjitimitet moral dhe politik për të mbështetur këtë model të ri të përkushtimit ndaj paqes.


Fetoshi rikujton se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, kishte kapërcyer veton ruso-kineze, duke përfaqësuar një “shkelje” të legalitetit në funksion të legjitimitetit dhe mbrojtjes së vlerave universale.

Duke bërë analogji me rolin historik të Shteteve të Bashkuara si lidere e paqes dhe demokracisë, Fetoshi vlerëson se përpjekjet aktuale të presidentit Trump synojnë neutralizimin e kërcënimeve të reja gjeopolitike që vijnë nga Rusia dhe Kina.

Sipas tij, pavarësisht konfigurimit final të Bordit të Paqes – qoftë si plotësim apo si sfidë ndaj Këshillit të Sigurimit – për Kosovën kjo nënkupton avancim të marrëdhënieve strategjike me SHBA-të, rikonfirmim të subjektivitetit të barabartë ndërkombëtar dhe njohje të rolit të saj si faktor paqeje në Ballkan.

Fetoshi thekson se kjo nismë përbën edhe një goditje të rëndësishme ndaj narrativës së Serbisë, e cila vazhdon të përpiqet ta paraqesë Kosovën si burim destabiliteti në rajon.

Në fund, ai vlerëson se hezitimi i disa fuqive evropiane për t’iu bashkuar kësaj nisme reflekton frikë dhe dilema lidhur me institucionet ekzistuese ndërkombëtare, por nuk e zbeh rëndësinë e Bordit të Paqes, i cili, sipas tij, nxjerr në pah krizën e thellë të sistemit aktual ndërkombëtar dhe mungesën e vullnetit kolektiv për garantimin e paqes.

“Në këtë kontekst, Kosova edhe sot foli me gjuhën e aleatit të saj strategjik: stabilitet, partneritet dhe përgjegjësi ndërkombëtare,” përfundon Fetoshi./Telegrafi/