LAJMI I FUNDIT:

Nëndetësja Kronos me motor të dyfishtë – mund të përdoret për operacione të ndryshme

Nëndetësja Kronos me motor të dyfishtë – mund të përdoret për operacione të ndryshme

Kompania Highland Systems nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka prezantuar dizajnin e ri të nëndetëses që duket sikur një “pjatë fluturuese” nga filmat fanta-shkencë.

Fjala është për nëndetësen e quajtur Kronos, dizajni i të cilës në mënyrë radikale ndryshon pamjen e këtij mjeti lundrues si për brenda ashtu dhe nga jashtë, transmeton Telegrafi.


Nëndetëset janë të dizajnuara për operacionet e “fshehta”, e me kalimin e viteve ato kanë avancuar shumë.

Megjithatë, dizajni dhe pamja e tyre ka ndryshuar pak. Por me zhvillimin e teknologjisë dhe motorët elektrik, ka filluar kjo të ndikojë edhe te nëndetëset.

Vitin e kaluar projekti i DARPA-s, Manta-Ray u fut në fazën finale, kurse tani Highland Systems dizajnoi diçka të ngjashme. Nuk bëhet fjalë për nëndetëse pa personel, por është dizajni ai që bie në sy.

Nëndetësja është dizajnuar që të mund të akomodojë dhjetë pasagjerë dhe një anëtar ekuipazhi. Dizajni i ri radikal i mundëson të lëvizë më shpejtë dhe të ketë shpenzime më të vogla – e kjo nëndetëse mund të kryej operacione të ndryshme komerciale dhe të përdoret edhe për misione tjera siç është ai për shpëtimin e jetëve të njerëzve por edhe për luftë.

Përveç kësaj, dizajni nënkupton motor të dyfishtë, gjenerator me naftë dhe një motor tjetër elektrik, që në kombinim ofron kryerjen e operacioneve që zgjatin deri në 54 orë.

Është interesant që “krahët” e nëndetëse mund të palosen që të transportohet më lehtë nëpër tokë. Ajo është 9 metra e gjatë, 7 e gjerë dhe 2 e lartë. Peshon 10 mijë kilogramë dhe mund të transportojë deri në 3 mijë kilogramë mallra.

Atë e vë në lëvizje motori me naftë që shpejtësinë maksimale mbi sipërfaqe të ujit e arrin në 80 kilometra në orë, e nën ujë vetëm 50. Sa i përket thellësisë – mund të zhytet deri 250 metra. /Telegrafi/