LAJMI I FUNDIT:

Çfarë ndodh nëse gaboni në ndërrimin e shpejtësisë?

Çfarë ndodh nëse gaboni në ndërrimin e shpejtësisë?

Kalimi në marshin e gabuar mund t’i ndodhë kujtdo, por ndonjëherë mund të jetë fatale.

Sidomos nëse ndërroni marshin më të ulët në vend të një marshi më të lartë, dhe dëmi është më i madh nëse e bëni me shpejtësi të larta. Kjo është pikërisht ajo që i ka ndodhur një pronari të një Toyota Corolla GR sportive në Amerikë, shkruan Carscoops.

Ajo që e tronditi më tej ishte fatura e riparimit, e cila ishte aq e madhe sa ai mund të kishte blerë praktikisht një veturë krejt të re.

Pronari i veturës pranoi se gjatë përshpejtimit e kishte ndërruar kutinë e shpejtësisë në marshin më të ulët (të gabuar) dhe se nuk ishte i sigurt se çfarë do të ndodhte, por fatura prej 42.180 dollarësh (rreth 38.000 euro) sigurisht që nuk ishte ajo që priste.

Ai i tregoi Carscoops se si po udhëtonte në shtëpi nga puna një mbrëmje dhe ndërroi marshin e tretë ndërsa përpiqej të kalonte në të pestën. Bazuar në dokumentacionin e shërbimit që ai dorëzoi, departamenti i shërbimit beson se rrotullimet e motorit shkuan deri në 8900 rpm, dhe Corolla GR ka një maksimum rpm 6500.

Të dhënat e shërbimit thonë se valvulat në cilindra ishin të përkulura, ashkla metalike ishin në vaj dhe se pistoni i tretë jo vetëm që gërvishti muret e cilindrit, por edhe u shkri për shkak të nxehtësisë.

Toyota USA dërgoi një teknik në terren për të kontrolluar makinën dhe dëmtimet. Në fund, ajo nuk pranoi të mbulonte dëmin nën garanci. /Telegrafi/