LAJMI I FUNDIT:

Në spitalin e Bostonit do të nisë testimi i parë njerëzor i vaksinës për sëmundjen e Alzheimerit

Në spitalin e Bostonit do të nisë testimi i parë njerëzor i vaksinës për sëmundjen e Alzheimerit

Brigham and Women’s Hospital do të testojë sigurinë dhe efikasitetin e një vaksine nazale që synon parandalimin dhe ngadalësimin e sëmundjes së Alzheimerit, njoftoi të martën spitali i Bostonit.

Fillimi i provës së vogël klinike të fazës së parë vjen pas gati 20 vitesh kërkimi të udhëhequr nga Howard L. Weiner, MD, bashkëdrejtor i Qendrës Ann Romney për Sëmundjet Neurologjike në spital.


Prova do të përfshijë 16 pjesëmarrës nga mosha 60 deri në 85 vjeç, të gjithë me Alzheimer të hershëm simptomatik, por përgjithësisht të shëndetshëm. Ata do të marrin dy doza të vaksinës me një distancë prej një jave, tha spitali në një deklaratë për shtyp. Pjesëmarrësit do të regjistrohen nga Qendra Ann Romney, shkruan CBS News.

Një provë klinike e fazës së parë është krijuar për të përcaktuar sigurinë dhe dozën për një mjekim të ri të mundshëm. Nëse shkon mirë, do të nevojitet një provë shumë më e madhe për të testuar efektivitetin e tij.

Vaksina përdor një substancë të quajtur Protollin, e cila stimulon sistemin imunitar. “Protollin është projektuar për të aktivizuar qelizat e bardha të gjakut që gjenden në nyjat limfatike në anët dhe në pjesën e pasme të qafës për të migruar në tru dhe për të shkaktuar pastrimin e pllakave beta amiloide – një nga shenjat dalluese të sëmundjes së Alzheimerit”, shpjegon spitali. Ai vëren se Protollin është gjetur të jetë i sigurt në vaksina të tjera.

“Lansimi i testimit të parë njerëzor të një vaksine hundore për Alzheimer është një moment historik i jashtëzakonshëm”, tha Weiner në deklaratën për shtyp të spitalit.

“Gjatë dy dekadave të fundit, ne kemi grumbulluar prova para-klinike që sugjerojnë potencialin e kësaj vaksine nazale për alzheimerin. Nëse provat klinike te njerëzit tregojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive, kjo mund të përfaqësojë një trajtim jo-toksik për njerëzit me Alzheimer, dhe mund të jepet edhe herët për të ndihmuar në parandalimin e Alzheimerit te njerëzit në rrezik”.

Studiuesit mjekësorë në mbarë botën kanë punuar për vite me radhë për të zhvilluar ilaçe të reja për të trajtuar ose ngadalësuar Alzheimerin, shkaku më i zakonshëm i demencës. Por shumë nga medikamentet eksperimentale që dikur dukeshin premtuese në studimet e hershme nuk kanë arritur, duke i lënë pacientët dhe familjet e tyre me pak opsione të mira trajtimi. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori