Në Prizren është hapur zyrtarisht fushata e re CSR me mesazhin “Gratë janë pjesë e çdo hallke të prodhimit”, një iniciativë që synon të vë në pah rolin dhe kontributin e grave në të gjitha fazat e zinxhirit të prodhimit.

Me rastin e fillimit të fushatës, përfaqësues të EcoKosWomen (EKW), Caritas Switzerland in Kosovo dhe PEPEKO u mblodhën në Prizren, duke shënuar kështu edhe fillimin e aktiviteteve që do ta përcjellin fushatën gjatë periudhës në vazhdim.


Në qendër të fushatës është puna e grave – nga angazhimi në bujqësi dhe prodhimi primar, te përpunimi, paketimi dhe deri te produkti që arrin tek konsumatori.

Përmes mesazhit “Gratë janë pjesë e çdo hallke të prodhimit”, fushata synon ta bëjë më të dukshëm këtë kontribut dhe njëkohësisht të nxisë bizneset, organizatat dhe konsumatorët që të mbështesin një qasje më të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse ndaj rolit të grave në ekonomi dhe agrobiznes.

Hapja e fushatës në Prizren shërbeu edhe si mundësi për bashkëbisedim ndërmjet partnerëve dhe pjesëmarrësve rreth rëndësisë së fuqizimit ekonomik të grave, formalizimit dhe krijimit të mundësive më të mëdha për përfshirjen e tyre në treg.

Në kuadër të fushatës do të zhvillohen edhe aktivitete dhe materiale të ndryshme informuese e promovuese, përmes të cilave publiku do të njihet më nga afër me rolin që gratë kanë në zinxhirin e prodhimit dhe me rëndësinë e mbështetjes së tyre.

Mesazhi është i thjeshtë: pa përfshirjen dhe kontributin e grave, zinxhiri i prodhimit nuk është i plotë.