LAJMI I FUNDIT:

Në Prishtinë u mbajt edicioni i dytë i Samitit për Inovacione në Drejtësi

Në Prishtinë u mbajt edicioni i dytë i Samitit për Inovacione në Drejtësi
Samiti për Inovacionet në Drejtësi - edicioni i dytë u mbajt më 5 Tetor, në Klan Arena, si bashkë-organizim i USAID Kosovo (Programi për Drejtësi), Rrjetit të Inovacioneve në Drejtësi dhe Innovation Centre Kosovo.

Këtë vit samiti kishte për qëllim portretizimin e punës së Rrjetit të Inovacionit në Drejtësi, gjate vitit të kaluar. Rrjeti i Inovacionit në Drejtësi është një mekanizëm që bashkon ofruesit e shërbimeve të drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile, bizneset dhe donatorët ndërkombëtarë, me qëllim të identifikimit të sfidave në Sistemin e Drejtësisë dhe gjetjen e mënyrave inovative për zgjidhjen e tyre.


Hapja e edicionit të dytë të këtij Samiti u bë nga z. Noel Bauer – Drejtor i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, ndërkaq fjalimi kryesor u prezantua nga z.Albert Zogaj – Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili shpalosi inovacionet në sistemin gjyqësor të Kosovës përgjatë viteve. Për të shkëmbyer ekperienca dhe për të parë nga afër inovacionet globale në drejtësi, për të pranishmit nga Washington DC foli Tom Bridle nga Chemonics International, i cili poashtu prezantoi për drejtësinë me qytetarin që kjo kompani së bashku me USAID po zbaton në shumë vende të botës.

Në vazhdim të samitit u prezantuan propozimet inovative të dala nga gara “DevCamp” e zhvilluar në Innovation Centre Kosovo, për sistemin e drejtësisë në Kosovë, si dhe u mbajt paneli “Proceset e detajuara nga të dhënat që sjellin zgjidhje inovative në drejtësi” me Metihe Kastrati, Arianit Fazliu, Bardhyl Hasanpapaj dhe Betim Musliu.

Samiti i Inovacioneve në Drejtësi u përmbyll me prezantimin e punimeve nga nxënësit – drejtësia pëmes artit, si dhe punëtoritë e dizajnimit të të menduarit, me pjesëmarrësit e samitit. Videon e plotë nga samiti mund ta shikoni këtu.