eksperti ad

Pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe kanë interpretuar një këngë me përmbajtje nacionaliste për Kosovën në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq.

Bëhet fjalë për këngën “Himni i heronjve të Kosovës”, një këngë patriotike serbe që i kushtohet Betejës së Kosovës të vitit 1389 dhe që në të kaluarën është përdorur edhe si himn i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), e njohur si “Beretat e Kuqe”.


Në interpretimin e këngës dëgjohen vargje si: “Po nisemi për në Kosovë”, ndërsa teksti përmban referenca fetare dhe nacionaliste të lidhura me narrativën serbe për Kosovën.

JSO ishte një njësi speciale e Sigurimit Shtetëror të Serbisë, e cila veproi gjatë viteve 1990 dhe mori pjesë edhe në luftën në Kosovë.

Njësia është përmendur në procese gjyqësore dhe raportime ndërkombëtare në lidhje me krime lufte të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.

Pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në vitin 2003, ku u përfshinë ish-pjesëtarë të saj, JSO u shpërbë nga autoritetet serbe.

Në Kosovë, këto veprime shihen si pjesë e vazhdimësisë së narrativës shtetërore të Beogradit, e cila mohon realitetin e Kosovës dhe kultivon mite historike e politik.


Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian dhe partnerët perëndimorë kanë bërë vazhdimisht thirrje për shmangien e retorikës nacionaliste dhe të deklaratave që mund të rrisin tensionet në rajon, duke kërkuar fokus në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Telegrafi.