Në prag të përballjes me AZ Alkmaar, Drita pritet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot (e mërkurë) në zyren e tij ekipin e Dritës para ndeshjes që ata do ta zhvillojnë ndaj AZ Alkmaar.
Drita do të takohet me ekipin holandez të enjten në kuadër të Ligës së Konferencës.
Kurti e ka falenderuar Dritën për përfaqësimin dinjitoz që i kanë bërë Kosovës në arenën evropiane, teksa iu uroi fat për ndeshjen e radhës.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Nga 36 ekipe, FC Drita e Gjilanit renditet në vendin e 8-të në Ligën e Konferencës. Shanset i kanë të mëdha për kualifikim në fazën tjetër.
Përfaqësuesve të klubit, tranjerit, futbollistëve dhe stafit teknik, që i mirëprita me kënaqësi në kryeministri, i shpreha mirënjohjen për përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë.
Bardh e kaltërtit nga Gjilani nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e presin AZ Alkmaar e Holandës në ndeshjen e radhës.
Arritja e rezultatit pozitiv do të shënonte tjetër sukses historik për klubin dhe mbarë futbollin tonë. Forca Drita!
/Telegrafi/



















































