LAJMI I FUNDIT:

Në muajin mars ulët për 1.9% deficiti tregtar i Kosovës

Në muajin mars ulët për 1.9% deficiti tregtar i Kosovës
Export Or Import Directions On A Metal Signpost

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 1.9 për qind në muajin mars 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 228.9 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 233.3 milionë eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 10.4 për qind.

Kështu thuhet në raportin ‘Statistikat e Tregtisë së Jashtme, mars 2018’, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).


Për këtë muaj, eksporti i mallrave kishte vlerën 26.4 milionë euro, ndërsa importi 255.4 milionë euro, që është një rënie prej 15.4 për qind për eksport dhe 3.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 26.1 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 15.3 për qind e përbëjnë produktet minerale, 13.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 13.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 4.9 për qind e përbëjnë produktet bimore, 4.7 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj, 4.5 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 4.2 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij dhe 4 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar”, thuhet në njoftimin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 12.8 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, 11.7 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.2 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9.8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike, 8.6 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 6.8 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre dhe 5.6 për qind e përbëjnë produktet bimore.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 9.0 milionë euro, ose rreth 34.2 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.9 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania me 7.4 për qind, Holanda me 4.4 për qind, Britania e Madhe me 4.2 për qind, Sllovenia me 3.4 për qind dhe Bullgaria me 3.2 për qind.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 106 milionë euro, ose 41.5 për qind e importeve të përgjithshme, një rënie prej 9.8 për qind. Importet me pjesëmarrje me të larte ishin nga Gjermania me 12 për qind, Italia me 5.5 për qind, Greqia me 3.1 për qind dhe Rumania 3 për qind.

Në muajin mars 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 13.6 milionë euro, ose 51.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej për qind 4.7 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së janë Shqipëria me 20.5 për qind, Maqedonia me 15 për qind, Serbia me 8.2 për qind dhe Mali i Zi me 6.2 për qind.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin mars 2018, arritën në 66 milionë euro, ose 25.9 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej për qind 12 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 14.3 për qind, Maqedonia me 5 për qind, Shqipëria me 4 për qind dhe Bosnja e Hercegovina me 2.1 për qind.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.6 milionë euro ose 13.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden Zvicra me 7.6 për qind dhe Turqia me 4 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 83.3 milionë euro ose 32.6 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Kina me 9.8 për qind dhe Turqia me 9.6 për qind. /Telegrafi/